Ekskluzive/ “Jam tifoz i Brojës dhe Uzunit”, Munishi kërkon ndryshime te Kosova: Thirren lojtarë që nuk luajnë me ekipet e tyre

Gjithmonë aty për të përkrahur dy përfaqësueset shqiptare e për të vënë në pah të metat kur e kërkon nevoja. Ismet Munishi mbetet i pranishëm me opinionin e tij sa herë që Kosova apo Shqipëria zbresin në fushë. Trajneri i njohur shqiptar u shpreh i pakënaqur me 21-vjeçarët dardanë mbrëmjen e djeshme, të cilët u mposhtën me rezultatin e ngushtë 0-1 nga Çekia.

Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Munishi tregon se ku qendron problemi në paraqitjet Shpresave të Kosovës, ku sipas tij pjesa dërrmuese e ekipit nuk kanë minuta në këmbë në klubet e tyre respektive. Gjithashtu e udhës për të është që të vijnë edhe ndryshime në pankinën e Kosovës A.

“Nuk e di çfarë është kriter dhe bën mirë të sqarohet trajneri. 80% e futbollistëve që kanë qenë titullarë dhe janë ftuar nuk luajnë fare në skuadrat e tyre. Ne kemi kapacitet për paraqitje më të mira dhe më dinjitoze. Te Kombëtarja A ndikoi shumë keq pandemia. Realisht ka ardhur koha edhe aty të mendojnë për ndryshime në pankinë“, është shprehur trajneri shqiptar.

Më tej një mendim e jep edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, ku pavarësisht se nuk pajtohet 100% me Rejan, rezultatet flasin në favor të italianit. E në fund shpreh edhe vlerësimin e madh për dyshen e talentuar të sulmit kuqezi. Broja dhe Uzuni.

“Shqipëria po ecën mirë pavarësisht që në disa pikëpamje nuk pajtohem me Rejan. Por i lumtë, sepse po merr sukses. Jam tifoz me Brojën dhe Uzunin, janë fantastikë“, përfundon Ismet Munishi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *