Në një vend të vogël si Shqipëria, kemi parë shumë “luftëtarë” të dalë në sportet e forcës. Realisht jemi kaq të mirë në këtë drejtim, apo ndonjëherë e vërteta shtrembërohet sipas dëshirave? Kjo është pyetja që gjithmonë kemi ngritur, ndërsa ka zhvilluar një intervistë me ish-menaxherin e parë shqiptar për sportet luftarake në boks, kikboks dhe MMA.
Bëhet fjalë për Evren Dalipin, që e ka nisur këtë rrugë që në moshë shumë të hershme, duke siguruar kontakte me shumë sportistë të njohur në Europë dhe botë rreth kësaj fushe. Ai na tregon më tepër për kampionët fallco dhe mënyrën sesi fitohet një ndeshje teatrale.
Jemi duke folur me një menaxher që i ka nisur hapat e parë që në moshë shumë të hershme. Mund ta tregosh më shumë gjithë eksperiencën tënde?
Gjithçka ka ndodhur në mënyrë spontane, në dhjetor të vitit 2014. Atje kam filluar me menaxhimet e sportistëve shqiptare, por edhe ata të huaj.
Nga të lindi ideja për të punuar në këtë drejtim, për të ndihmuar sportistët që të zhvillojnë ndeshje mes njëri-tjetrit dhe sa e vështirë është një gjë e tillë?
Ashtu siç e theksova edhe më herët, ka ardhur spontanisht. Një miku im asokohe nga Austria, më kontaktoj që t’i bëhem menaxher për një ndeshje, me një nga figurat më të njohura në Ballkan nga Serbia, Kristijan Golubovic. E vështirë normalisht, pasi duhet të kesh kontakte të shumta.
Kur ka qënë organizimi i parë?
Organizimi i parë ka ardhur në Vienë të Austrisë, më 9 maj të vitit 2015. Ajo ka qënë ndeshja e vitit sepse janë ndeshur dy figura shumë kontradiktore.
Realisht, ka Shqipëria sportistë në fushën e forcës që mund të jenë në boks ose MMA, me të ardhme të ndritur përpara?
Sigurisht që ka sportist të mirë dhe të talentuar në të gjitha trojet shqiptare. Mirëpo nuk i kanë kushtet e nevojshme në këtë drejtim, duke e ditur se jetojmë në një vend që nuk i jepet rëndësi dhe investimi i duhur sportit. Shpresojmë se në të ardhmen do të ndërgjegjsohen edhe më shumë.
Por nga ana tjetër, i shohim edhe të shumtë në numër. Ka raste kur kemi të bëjmë me “luftëtarë” që nuk janë të vërtetë?
Pyetje e duhur dhe shumë me vend për t’u diskutuar. E para ka qindra sportistë të mirë si në boks dhe kikboks, mirëpo ata gjatë karrierës që ndeshen dhe nuk arrijnë ndonjë titull prestigjoz, humbasin vullnetin pasi nuk kanë fituar asgjë. Pastaj hapin një Federatë të tyren, bëjnë organizime private dhe vetëshpallen kampion europe ose bote, si në salla çerdhesh për fëmijë.
Nëse ka të tillë, atëherë çfarë dhe sa mund të fitojnë që e zgjedhin një rrugë të tillë?
Ka shumë të tillë në veçanti tek ne shqiptarët, ku pothuajse të gjithë janë kampiona europe e bote në boks dhe kikboks. Por ata nuk i njeh askush, në fakt nuk fiton asgjë, as famë dhe as të ardhura financiare. Sot është e lehtë të organizosh një event privat.
E çuditshme, por ndonjëherë janë edhe vetë njerëzit që i përkrahin dhe preferojnë më shumë “aktrimet”. Nuk shpjegohet ndryshe që WWE ka një numër të jashtëzakonshëm ndjekësish apo jo?
WWE është një nga këto aktrime profesionale më të vjetra, që nga vitet 1950. E vërtetë që kanë një shikueshmëri jashtëzakonisht të madhe në botë dhe ndiqen nga miliona njerëz. Përfitimet janë ekstreme në këtë të ashtuquajtur sport, WWE ose interpetim i mundjes nëse i bëjmë një përkëthim në shqip.
Po sa i përket boksierëve dhe sportistëve më në zë në botë. Me cilët prej tyre ke arritur të komunikosh dhe çfarë vlerësimi kanë ata për kolegët e tyre nga Shqipëria?
Kam biseduar me shumë sportist botëror, si në boks, kikboks dhe MMA. Kryesori është Gokhan Saki, ish-kampion bote në organizatën më të fuqishme botërore, Glory, ndërsa tani është luftëtar nb kafaz në UFC dhe Erko Jun, më i njohuri në Europë. Sot kam kontakte të shumta, sikur është legjenda e kikboksit botëror, Ray Sefo, njëkohësisht edhe presidenti i organizatës botërore të MMA-së, PFL MMA. Kam kontakte me shumë luftëtarë nga organizata të ndryshme të MMA-së, UFC Bellator, PFL MMA, KSW MMA e shumë të tjera.
Kontakte shumë të mira me trajner kryesor të Khbabi Nurmagomedovit, që është Javier Mendez dhe ndan respekt të madh për sportistët në trojet shqiptare. Më në veçanti për Dritan Bajramaj, që është shqiptari i parë që ka filluar të ndeshet në MMA. Po ashtu edhe vëllezërit Seferi, Nuri dhe Sefer Seferi, që përfaqësojnë ngjyrat kuqezi dhe shtetin e Shqipërisë. Mirëpo të mos harrojmë sportistët e mëparshëm, si ish kampioni në karate, Enver Idrizi, Thaiboxieri më i mirë shqiptar, Mirdi Limani, boksieri Aziz Saliu e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë për vendin tonë.