Ekskluzive/ Ish-lojtari i Superiores kthehet trajner në një ekip të Zvicrës në moshën 36-vjeçare: Modeli është një përzierje Rubio-Gjoka-Magani

Pas një karriere të pasur dhe të suksesshme, erdhi momenti për ta mbyllur me futbollin e luajtur. Hapat e para në futboll Nijas Lena i ka hedhur në Maqedoninë e Veriut, prej nga ku mbërriti në Shqipëri. Fillimisht veshi fanellën kuqezi të Flamurtarit, për të provuar më pas edhe atë të Teutës dhe të Kukësit.

Mesfushori shqiptar për herë të fundit luajti në Zvicër, ku la një karrierë për të nisur një tjetër. Lena provon veten si trajner në krye të FC Koniz në Grupin B të Ligës së Parë në Zvicër në moshën 36-vjeçare, duke nisur kështu një epokë të re në jetën e tij. Të gjitha leksionet e përfitura si një futbollist, tani do t’i transmetojë te lojtarët që ka në organikë me të ardhmen e ndritur që e pret përpara, trajner Lenën.

“Pas më shumë se 20 viteve si futbollist, tani është momenti për ta mbyllur këtë rrugë të vështirë por dhe aq të bukur! Me futbollin është e vështirë, pa atë e pamundur”, kështu përgjigjet Nijas Lena në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres” kur pyetet për pamundësinë për t’i qendruar larg futbollit pasi vari këpucët në gozhdë.

“Kjo do të jetë eksperienca ime e parë si tranjer. Më pret shumë punë dhe sakrificë e madhe, por dashuria që kam për këtë sport shpresoj të më argëtojë dhe të jap emocionet që m’i dha si futbollist”, vazhdon 36-vjeçari nga Struga.

Në karrierën e tij të gjatë ka pasur mundësinë të punojë me shumë trajnerë të ndryshëm, që padyshim janë lënë gjurmët e tyre në formimin e tij. Por tre prej tyre kanë shërbyer si model për t’u ndjekur në rrugëtimin e tij të ri në karrierë.

“Kam patur disa tranjerë shumë të mirë në Superiore, por mund të them se do të doja një përzierje të Rubios, Maganit dhe Gjokës”, thotë Nijas Lena, i cili vijon: “Pa diskutim që autoriteti është primar, por unë do mundohem të jem i afërt, ”shok”, duke i ndihmuar për tu përmirësuar çdo ditë dhe të rrisin nivelin”.

Në fund Nijas Lena tregon edhe mënyrën se si erdhi në krye të pankinës së FC Koning, aventurë të cilën e nis zyrtarisht më 9 janar. Ka mjaftuar vetëm një takim me presidentin e klubit dhe nuk kishte nevojë për t’u menduar më gjatë.

“Ka qenë presidenti i ekipit, Ilir Bekaj, ai që më ka kontaktuar para disa muajve dhe ka ardhur të më takojë pas një ndeshjeje që luaja vetë. Biseda ishte shumë e thjeshtë, sepse idetë tona për futbollin përputheshin aq shumë, sa nuk na nevojitej një takim i dytë”, përfundon intervistën e tij për “Sport Ekspres”-in ish-futbollisti shqiptar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online