Ekskluzive/ I shënoi një njohje të vjetër, Uzuni: Po luaja kundër disa ish-shokë skuadre, doja t’u tregoja se jam më i miri

0

Nga Klaudio Ndreca

Myrto Uzuni vazhdon të tregojë se është një nga sulmuesit shqiptarë më në formë të momentit. Aspak dyshim mbi nivelin e këtij lojtari, ndërsa edhe me aktivizimin e tij të paktë ndaj Lituanisë u pa qartësisht mënyra sesi nisi të ndryshonte loja te Shqipëria. Puna e madhe është shpërblyer më në fund edhe te Ferencvarosh pasi i shënoi Dinamos së Zagrebit duke e dërguar kampionen e Kroacisë në shtëpi dhe duke vazhduar më tej në “Champions League”.

Nuk ishte thjeshtë realizimi i parë i Uzunit, por një gol me peshë të madhe pasi i jep prestigj skuadrës hungareze që nuk ishte favorite në letër, duke bërë që të krijohet iluzioni i grupeve të “Champions League”. Pra, në kohën dhe vendin e duhur, Myrto mbetet aty! “Sport Ekspres” e ka kontaktuar menjëherë sulmuesin pas përfundimit të takimit, për të marrë fillimisht pak nga emocionet e tij, ndërkohë që sapo ka përfunduar edhe festa e Ferencvarosh.

“Jam shumë i lumtur për golin dhe realisht ishte shumë i rëndësishëm për ekipin. Por njëkohësisht edhe për mua pasi kam punuar shumë për të mbërritur tek kjo festë. I lumtur edhe për këtë kualifikim. Trajneri ishte personi që vendosi të merrte në Ferencvarosh, më vlerësonte shumë dhe u lumtura kur unë realizova”, tha Uzuni.

I pyetur nëse e ndiente golin ndaj Dinamos së Zagrebit para ndeshjes, duke ditur faktin se i ka shënuar më parë edhe me Lokomotivën e Zagrebit dhe e njihte këtë rival më mirë se të gjithë te Ferencvarosh, Uzuni na përgjigjet thjeshtë dhe pa shumë interpretime:

“Normalisht që unë besoja se do të shënoja ndaj Dinamos së Zagrebit. Jam përballur me ta dhe e di kualitetin tim. Ky ishte motivi më i madh, për më tepër që luaja kundër edhe shumë lojtarëve që dikur i kam pasur shok skuadre dhe doja t’i tregoja atyre që jam më i miri”, u shpreh Uzuni. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.