Nga Klaudio Ndreca
Pasi Tirana humbi në shifrat 1-2 kundër Partizanit, trajneri Orges Shehi u shpreh se ky dështim erdhi për shkakun se lojtarët ishin më të karikuar se duhet. Këto fjalë mund të merren edhe si një arsye justifikimi, por historia lidhet me njeriun e së vërtetës, Egbon.
Kur ky i fundit theu “akullin” e 5 viteve pa fituar derbin, ish-trajneri i Tiranës kishte të njëjtin konstatim. Ambienti bardheblu ngarkohet shumë përpara ndeshjes me Partizanin, ku kërkojnë fitoren dhe kryesimin që nga minuta e parë.
Por Egbo i bëri futbollistët që ta merrnin si një ndeshje më të zakonshme, për të mbajtur edhe barazimin deri në minutat e fundit, atje ku çdo rast që do të dalë përpara porte është një shans i madh për të afruar me fitoren, pa u vendosur në presionin e kohës. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Egbo ka komentuar këtë derbi të fundit duke përsëritur të njëjtat fjalë: “Po ai gabimi që e la Tiranën pa fituar në 5 vite”.
“Derbi ka qenë i luftuar nga të dy ekipet, por Partizani ka shfrytëzuar rastet që ka pasur dhe fitoi. Të dy ekipet kishin nevojë për tre pikët në këtë ndeshje për të vazhduar luftën në kryesim dhe Partizani ka qenë pak më i qetë se Tirana. Ekipi i Tiranës ka qenë i karikuar më shumë se duhet, sidomos në pjesën e dytë. Donin që ta fitonin ndeshjen me çdo kusht që të afroheshin me kreun. Por derbi nuk fitohet kështu, duke u mbingarkuar. Këtë gabim ka bërë Tirana edhe në vitet e shkuara dhe prandaj nuk ka arritur që të fitojë derbin në 5 vite, deri në sezonin e vjetshëm kur fituam dy ndeshje dhe morëm një barazim, pa asnjë humbje”, u shpreh Egbo.
Gjithashtu nga trajneri kampion në fuqi të Superiores kemi kërkuar një opinion mbi situatën e Vllaznisë. “Kanë bërë gabim dhe ka luhatje si të gjithë të tjerët në kampionat. Të gjithë kanë gabuar, por Vllaznia më shumë se ishte 10 pikë diferencë me ndjekësin më të afërt. Janë futur në panik dhe trysni tani. Kush do të gaboj më pak në këto ndeshje të mbetura do të shpallet edhe fitues i kampionatit”, përmbylli Egbo. /Sport Ekspres/
5 vite e 10 muaj