Ekskluzive/ “Hysaj nuk po e bën liderin”, Altin Rraklli analizon Kombëtaren: Një tjetër Europian? Të presim edhe ca kohë…

Nga Klaudio Ndreca

Pas një performancë shumë të mirë të Shqipërisë vjen gjithmonë një zhgënjim, në momentin që duhet të tregojmë forcën tonë ndaj një ekipi modest. Kjo ndodhi edhe ndaj Lituanisë atje ku kuqezinjtë nuk mund ta shmangnin dot nënvlerësimin e tyre për kundërshtarin që na dhuroi surprizën me shije të hidhur.

Përpara këtij rezultati zhgënjyes Shqipëria kishte bindur ndaj Bjellorusisë duke fituar në shifrat 0-2 në transfertën që nuk kishim dalë kurrë më parë me triumf. Për më tepër, pjesa që bindi më tepër te Kombëtarja ishte aspekti i mbrojtjes atje ku dukej se ndaj Bjellorusisë nuk do të pësonim kurrë, edhe nëse ndeshja do të zgjaste për 24 orë.

E si e analizon një figurë ikonë e Kombëtares si Altin Rraklli këtë situatë që po kalojnë kuqezinjtë? Mes thirrjes së emrave të rinjë dhe largimit të disa legjionarëve që kanë qenë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë, për arsye të ndryshme, kanë ngjallur jo pak diskutime. Në një intervistë për “Sport Ekspres” vjen edhe analiza nga ana e legjendës kuqezi.

Bindim ndaj një ekipi të fortë dhe dështojmë në momentin që duhej të tregojmë ne forcën ndaj një skuadre modeste. Përse nuk e marrim dot leksionin te Kombëtarja?

Fillimisht më duhet të them se Bjellorusia është një skuadër modeste, pak a shumë në një nivel me ne. Të themi realitetin që fitorja ndaj tyre nuk erdhi duke bindur, por taktikisht ishim mirë, sidomos në pjesën e parë. Skuadra u paraqit në mënyrën e duhur veçanërisht në mbrojtje sipas opinionit tim. I shfrytëzuam rastet që erdhën dhe për këtë arsye fituam. Sa I përket ndeshjes me Lituaninë, ishte e lehtë në letër, por jo me shumë diferenca të mëdha me ne. E morëm lehtë dhe shumë gabime në mbrojtje i dhanë hapësirë kundërshtarit. Konfuz në lojën sulmuese dhe e pafat në fund, gjë kjo e cila solli humbjen. Por ka të bëj me karakterin dhe mentalitetin që ekipit tonë Kombëtar e karakterizion prej vitesh ndaj atyre ekipeve që janë “të vogla”.

Shumë kritika shpërthyen kundër Rejës pas asaj humbje. Pa kaluar te trajneri, si mund të shpjegohet fakti që gabimet trashanike na vijnë prej lojtarëve më të mirë?

Kam mendim pozitiv për Rejën, sidomos për aspektin motivues dhe takitik. Gabimet që bëhen, sidomos nga lojtarët me eksperiencë, japin energji negative gjatë lojës dhe i përçohen skuadrës duke ndikuar në rezultat si në rastin konkret. Por ky është futbolli, gabimet ndodhin, ndryshe nuk do të kishte gola.

Altin, çfarë po ndodh me Hysajn? Nuk po bind shumë me nivelin e treguar te Shqipëria…

Është e vërtet që Hysaj me eksperiencën dhe si kapiten i Kombëtares duhet të tregojë më shumë rolin e liderit, sidomos në momente të vështira kur ndodhet ekipi. Këtë gjë nuk po e bën tani. Pastaj edhe në aspektin sulmues që e ka pasur armën më të fortë me daljet fundore që ka bërë zakonisht, i duhet të angazhohet më tepër.

Për Strakoshën e ke cekur dikur gjatë një prononcimi për ne: “E bën si puna e lopës me kovën. Të jep mirë, pastaj e derdh”. Kova u godit paksa edhe me Lituaninë…

Strakosha ka qenë në nivel të mirë sipas meje për këto takime. Ka shpëtuar shumë momente të vështira dhe te goli i Lituanisë nuk kishte përgjegjësi. Doli për t’i kërkuar topin Gjasulës dhe kjo ishte arsyeja e asaj që ndodhi.

Le të kalojmë pak te sulmi. Reja tha se Balaj qëndroi në shtëpi pasi nuk ka se çfarë të shohi më prej tij. 7 gola në 7 vite janë statistikat, a po vjen fundi i Bekimit te Kombëtarja?

Balaj, Cikalleshi, Sadiku, Manaj, Uzuni. Kemi këta qendërsulmues për momentin dhe për mua janë pothuajse i njëjti tip sulmuesi, me të njëjtat karakteristika. Luajnë me shpinë nga porta, por mungon ai alternimi me një sulmues që loz me fytyrë nga porta dhe sidomos i shpejtë që kërkon topat vertikal që janë rrezik për kundërshtarin. Pastaj a duhet rotacioni me lojtarët e rinjë? Ajo është punë intensive dhe i takon stafit që të vëzhgojnë nga më të vjetërit te më të rinjtë për të dalë në një përfundim. Gjithmonë pa u nxituar pasi ka ndodhur shpesh në Kombëtare që janë larguar lojtarë gjoja të vjetër me preteksin e rinovimit, ndërkohë lojtarët e rinjë nuk i afroheshin cilësive të tyre.

Broja, Çekiçi, Selahi, Ismajli, Bare, Uzuni. Si e shihni fytyrën e re të Kombëtares dhe a e kemi shansin për ta provuar edhe njëherë shijen e Europianit nëse mësojmë sërish shpirtin e sakrificës?

Të them të drejtën pak minuta i kam parë për të dhënë një mendim të saktë për të ardhmen e tyre në Kombëtare. Duhet t’i lëmë kohën e duhur dhe të shohim si do alternohen dhe zhvillohen në skuadrat që luajnë. Duan kohën e tyre dhe do i tregojnë cilësitë njëherë në ekipet që janë pjesë. Për Europianin? Besoj se duhet të presim edhe ca kohë mendoj unë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online