Ekskluzive/ “Gazetari që e quajti Tiranën të lehtë, nuk e njeh fare”! Sport Ekspres flet me trajnerin e Dudelange: Taulant Seferi vlen 1.5 milionë euro? Nuk çuditem

Nga Klaudio Ndreca

Tirana do të kthehet për të dëgjuar himnin e Champions League. Bardheblutë kanë provën e parë të së vërtetës pas shkëlqimit nën drejtimin e Orges Shehit, sa i përket sezonit që lamë pas. Por ndeshja kundër Dudelange është disi e veçantë për një arsye të vetme, nga të dy krahët u gëzuan që gjetën njëri-tjetrin, ndërsa vetëm një skuadër do të kalojë më tej.

Duke parë rivalët e tjerë të pamundur që ishin si kundërshtarë të mundshëm për Tiranën, padyshim që zgjedhja e Dudelange në short dukej si “bekim”. Por në të njëjtën mënyrë u komentua edhe në mediat e Luksemburgut zgjedhja e shortit, duke i konsideruar bardheblutë si rival të lehtë.

“Sport Ekspres” ka intervistuar trajnerin e Dudelange, Carlos Fangueiro, një ditë para ndeshjes. Portugezi shfaq vlerësim maksimal për Tiranën dhe njëkohësisht nuk habitet nga shifra 1.5 milionë euro që u caktua për Taulant Seferin.

Shorti të vendosi përballë Tiranën. A u gëzove që gjete këtë kundërshtar, ishte më i miri i mundshmi për ju?

E kam lexuar diku se Tirana ishte rivali më i mirë për ne. Por unë jam shumë i sigurt se gazetari që e ka shkruar këtë gjë, nuk di asgjë për Tiranën. Ne e kemi analizuar këtë skuadër dhe mund të konfirmoj se është ekip me shumë kualitete dhe se do të jetë ndeshje e vështirë.

A je ndeshur më herët kundër një ekipi shqiptar apo kjo me Tiranën do të jetë hera e parë për ju? Çfarë keni mësuar deri tani për kundërshtarin?

Kjo do të jetë hera e parë që ndeshem ndaj një ekipi shqiptar. Gjëja kryesore që mësova për Tiranën është se e fitoi kampionatin me komoditet, avantazh prej 10 pikësh. Një skuadër që ka fituar shumë tituj në Shqipëri dhe e përkthyer ndryshe, ka shumë eksperiencë në këtë fazë të ndeshjeve të Europës. Pra do të luajmë ndaj tyre me respekt dhe pa i nënvlerësuar.

Në Shqipëri po vlerësohet me 1.5 milionë euro sulmuesi Taulant Seferi. A do të jetë ky rreziku juaj kryesor?

Po ai është, Seferi është rreziku kryesor. Sa i përket vlerës që ju po më thoni, nuk po më çudit. Është lojtar shumë i mirë, i kompletuar dhe me shumë kualitet. Por sigurisht që nuk do të jetë rreziku i vetëm. Po mendoj tani për Da Silvan, për Xhixhan apo për Limajn që janë lojtarë të fortë dhe mund të bëjnë diferencën.

Si i shikon gjasat për kualifikim në këtë tur të parë, ndiheni më të avantazhuar?

Do të jetë ndeshje e vështirë. Nëse të dyja ekipet do të luajnë vërtet në nivelin e tyre, do të jetë një ndeshje me 50% shans për të dy skuadrat. Por ne i njohim vështirësitë e ndeshjeve në këtë fazë të sezonit: “kohë e shkurtër e përgatitjes, lojtarët e rinj që duan kohën e tyre për t’u ambientuar dhe duhet ta bëjnë këtë shumë shpejt” etj.

E nëse Tirana ju eliminon në këtë tur të parë, do ta quanit si dështim?

Objektivi ynë është gjithmonë të bëjmë më mirë se vitin e kaluar. Ne do të bëjmë maksimumin për të kaluar këtë fazë. Nëse do të jetë apo jo dështim, do të duhet të shohim pjesën tjetër të aventurës sonë në kupat evropiane për të gjykuar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online