Ekskluzive/ “Erdhi koha që Muçi të vallëzojë me topin”, Arbi Laçi nuk befasohet nga super goli: Të pamundurën e kthen të mundur gjithmonë

Nga Klaudio Ndreca

Ernest Muçi arriti që të linte gjurmë për herë të parë te Legia e Varshavës që prej mbërritjes së tij në Poloni. Basti i talentit shqiptar ishte i rrezikshëm për të shkuar në një vend që fundja nuk shquhet për ndonjë dashuri të madhe ndaj shqiptarëve. Pra talentit të formuar nga akademia e Tiranës i duhej dyfish më tepër punë dhe aftësi të treguara sesa bashkë lojtarët e tjerë që tifozët dhe opinioni sportiv polak të mos e kritikojnë, pasi për të rënë në dashuri më të duhen përsëritur gola si i djeshmi ndaj Wislas thuajse në çdo përballje.

Ndeshja e parë e sezonit të ri dhe goli i parë i Ernest Muçit me Legian. E gjitha ishte një kryevepër nga distanca që i la të habitur të gjithë: “Po ky djalë paska disa vlera”! Më i lumtur se edhe vetë lojtari shqiptar ishte trajneri i Legias që e krahasoi që në ditët e para me Mesin, por po vendosej në presionin e një nënshkrimi të dështuar me koston e madhe të krahasimit që kishte bërë. Këtë e treguan edhe vetë fjalët e tij pas ndeshjes: “I ka bërë disa herë në stërvitje këto lloj golash, por tani e pa gjithë Polonia”. Çfarë çlirimi pasi shumëkush po niste ta quante “të çmendur”!

Jehona e super golit të Muçit nuk mund të mos mbërrinte edhe në Shqipëri. Personat e parë që kanë të drejtën legjitime për të gëzuar dhe për të festuar sikur të shënonin vetë në fushën e lojës janë njerëzit që kanë një dorë në formimin e Ernestit. Mes tyre është edhe ish-drejtori i Tiranës, Arbi Laçi. Në moshën 17-vjeçare Arbi guxoi që t’i zgjaste përpara syve adoleshentit një letër për të firmosur. Këtë herë nuk ishte mësuesi që kërkonte firmën mbi provim, por drejtori që të jepte mundësinë për të qenë për 3 vite si pjesë e Tiranës, klubi me histori që nuk ka nevojë për më shumë koment.

Kështu nisi edhe ky rrugëtim i Muçit, ndërsa marrëdhënia mes tyre tanimë është kthyer si raporti “prind-fëmijë”. Në momentin që Ernesti është keq, kështu ndihen edhe njerëzit që besuan te ai pasi e dinë fare mirë se çfarë aftësish zotëron. Fundja edhe fati luan rol të madh në futboll. E në momentin që Muçi shkëlqen, më të lumtur janë personat e parë që e besuan pasi vjen edhe si dëshmi e punës së tyre. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që t’i marrë një prononcim Arbi Laçit pas super golit të ish-futbollistit të Tirans. Thuajse të gjithë janë impresionuar nga goli i fundit me Legian, por jo njeriu që e njeh mirë kapacitetin e tij.

“Goli i Muçit ishte saktësisht ajo që di të bëjë më mirë, të pamundurat i kthen në të mundura. Një realizim spektakolar në momentin kur gjërat nisin dhe duken të vështira. E komplimentova dhe u ndieva shumë mirë kur e pashë që të festonte. Ai djalë e meriton pasi ka talentin si dhuratë nga Zoti dhe një karakter të fortë që e bën të mos dorëzohet. Nuk ka qenë e lehtë kjo periudhë për të, mungesa e golit dhe përshtatja në një klub kaq të madh ku të gjithë presin shumë prej tij. Do të ketë sërish vështirësi përpara, por është moment pozitiv ky goli i djeshëm pasi i hoqi presionin nga shpatullat. Erdhi koha që Muçi të vallëzojë me topin dhe ai di ta bëjë”, tha Laçi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online