Ekskluzive/ “Ekipi është ndërtesa dhe lojtarët janë dhomat”, filozofia e Egbo: Vllaznia si Leiçesteri? Po kopjon Tiranën kampione

Nga Klaudio Ndreca

Emanuel Egbo ka shkruar historinë me Tiranën që është e pamundur për t’u fshirë dhe do të jetë shumë e vështirë për trajnerët e tjerë që të përsërisin të njëjtin sukses. Vetë fakti se ky trajner i dha titullin ekipit në 100-vjetorin e tij ka bërë që emrat e protagonistëve të shkruhen me “shkronja të mëdha”. Ecuria fantastike e fitoreve radhazi të Tiranës do t’i befasonte të gjithë në futbollin shqiptar, kur jemi mësuar që të shohim luhatjet e shumta të skuadrave nga java në javë.

Por e gjitha kjo histori që bazohej mbi suksesin do të pësonte goditje në disfatën e parë. Tirana do të eliminohej befasisht nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa kampionët do të zyrtarizonin shkarkimin e Egbosë. Në të vetmin gabim dhe moment që ky trajner kishte nevojë për mbrojtje, iu njoftua se duhej të bënte valixhet gati.

Gjatë një interviste për “Sport Ekspres”, Egbo ka folur për këtë të kaluar, duke ia lënë Zotit në gjykim. Biseda jonë nis me një analizë mbi derbin kundër Partizanit, atje ku për herë të dytë do ta shohë 90 minutëshin si të gjithë të tjerët, pa qenë vetë protagonist. Por a do të lutet Egbo që të jetë Tirana fituese?

Derbin e parë në këtë sezon e ke përjetuar si shikues i thjeshtë. Kur na ndajnë pak orë nga Tirana-Partizani, je mësuar tashmë të kontrollosh emocionin për ta parë këtë takim nga larg, pa pasur mundësinë që të jesh vetë protagonist?

Nuk është që kam pasur emocion në derbin e parë, unë nuk shikoj ndeshjen si një tifoz, unë e shikoj nga ana teknike-taktike. E shoh me qetësi tani që nuk jam një nga protagonistët brenda derbit.

Përballja e fundit na dhuroi derbin më të mërzitshëm të viteve të fundit. Mendon se erdhi nga frika për të mos humbur apo nga niveli i momentit, kur nuk ishin ndezur ende motorët?

Janë disa gjëra që kanë ndikuar në derbin e parë për të qenë i mërzitshëm. E para është frika për të shmangur humbjen duke pasur parasysh që ishte derbi i parë i sezonit. E dyta është pjesa që luhet pa tifozë. Tifozët e bëjnë ndeshjen që të quhet derbi, ata i motivojnë më shumë lojtarët, e ndezin atmosferën brenda dhe jashtë stadiumit.

Vetëm kështu futbollistët mund të japin maksimumin në fushë. Diçka tjetër është tani që ekipi i Partizanit është bërë si ekipi i Tiranës dikur që futeshin në fushë me motivim të tepruar, për ta fituar ndeshjen me çdo kusht. Pikërisht për këtë arsye Tirana nuk ka arritur që të fitojë një derbi në 6 vite. Partizani futet në derbi edhe me frikën që të mos humbasi me goleadë pasi humbën në shifrat 5-1.

Do ta vuajnë për shumë kohë, ashtu siç ka vuajtur Tirana për 6 vite pa fitore. Jam kurioz të shikojë sesi do të përballojnë të dy ekipet aspektin psikologjik. Nëse do të punojnë në këtë drejtim, do të luftohen deri në fund. Por nëse do të jenë njësoj me ndeshjen e parë, do të jetë shumë e mërzitshme”,

Nëse do të bëjmë një krahasim të Tiranës me dy fytyrat e saj, të vjetrën dhe të renë, dilet vetëm në një përfundim. Në kohën tuaj ishte krijuar besimi se ekipi do ta përmbyste rezultatin edhe nëse do të ishte duke humbur deri në 10 minutat e fundit të takimit. Tani shohim bardheblutë që ndahen me shumë barazime. Çfarë po i mungon skuadrës, ndoshta edhe fjalimet motivuese siç ishin mësuar më herët?

Të gjithë kemi filozofinë tonë dhe mënyrën që përdorim. Unë kam sekretin tim që nuk mund ta përdor askush tjetër, sepse ka sakrificë që duhet bërë. Kjo pyetje i përket më tepër lojtarëve për t’iu përgjigjur. Nuk mund të flas sepse nuk jam brenda skuadrës. Duhet që ta prek për të thënë se çfarë mungon. Por unë mendoj se ekipi nuk ka besim tek njëri-tjetri. Një ekip është si një ndërtesë që ka shumë dhoma, ku lojtarët janë dhomat. Porta për të hyrë në ndërtesë ka çelësat e saj dhe dhomat kanë çelësin e tyre. Duhet të hapet secila portë dhe dhomë me çelësin që i takon, pasi në të kundërt nuk hapet. Ai që i gjen çelësat mund t’i hap të gjitha dhomat. Ekipi ka lojtarët e mirë për të ecur përpara pasi është i njëjti me më parë, me mungesën e Kale dhe Celhaka. Por edhe për këta futbollistë ka pasur zëvendësues të mirë. Toli po luan shumë mirë në vendin e Celhakës dhe Danso në vendin e Kales. Nga ana tjetër është Gyamfi që ka bërë mirë kur i është dhënë mundësia, Sasraku ka luajtur mirë në dy ndeshjet e para. E lodh mbrojtjen kundërshtare që t’i hap hapësirat Muçit. Tani është marrë edhe Seferi, kështu që është detyra për të treguar veten. Egbo ka personalitetin e tij që nuk ka mundësi që ta ketë dikush tjetër. Kam mënyrën time të punës dhe atë mënyrë e kemi fituar kampionatin.

A do t’i lutesh Zotit, duke ditur se Tiranës i duhet më shumë se kurrë që ta fitojë këtë ndeshje kundër Partizanit?

Vetëm lutja nuk mjafton, edhe Partizani do të bëj lutje se i duhet kjo ndeshje. Nuk fitohet pa sakrificë dhe pa dhënë maksimunin, nëse nuk vepron në mënyrën e duhur. Gjithçka ka çmimin që duhet paguar. Zoti nuk ndihmon ata që nuk kanë besim dhe nuk i bëjnë gjërat siç duhet. Ne kemi luftuar deri në sekondën e fundit vjet, pavarësisht se kemi qenë në disavantazh.

Afrimet e bujshme në këtë merkato, me në krye Taulant Seferi. Çfarë mund të bënte Egbo me këtë skuadër?

Jo vetëm Seferi, por të gjithë lojtarët përbëjnë një ekip. Mua më intereson grupi, jo individi. Futbolli është si një zinxhir i lidhur së bashku ku nëse nuk punon një hallkë, atëherë nuk ecin gjërat. Unë do të bëja atë që di, të marrë më të mirën prej lojtarëve, pa pasur shumë rëndësi se kush janë ata.

Një temë që tashmë është prekur shumë herë, por për ti vendosur vulën. A të vjen keq që nuk u mbrojte nga Tirana në të vetmin gabim që ke bërë pas eliminimit në Kupë, ndërsa ti e mbrojtje skuadrën nga kritikat e panumërta të tifozëve për mungesën e suksesit, që vinte me kulmimin e 100 vjetorit për ta marrë nga vendet e fundit e për t’i dorëzuar titullin kampion?

Nuk kam bërë gabim pasi kisha vetëm lojtarët e U-19 në atë ndeshje në Kupë. Disa lojtarë ishin në Kombëtare, të tjerë ishin dëmtuar dhe kam futur të gjithë futbollistët e U-19 që kisha në dizpozicion. Nuk më vjen keq aspak. Nuk jam ai që do e gjykoj nëse ishte e drejtë apo jo, e kam lënë në duart e Zotit pasi është ai që e ka vendosur se kishte ardhur koha për të ikur. Nuk është se kam mbrojtur klubin, bëra atë që kisha ëndërruar për Tiranën për të dalë kampion si trajner. Nuk kam ngelur pishman për asgjë, pengu i vetëm është që nuk u futëm dot në “Champions League” ose “Europa League”. E kishim mundësinë nëse do të ishim fokusuar dhe nëse do të kishim punuar të gjithë si klub.

Në një intervistë për mediat në Nigeri je shprehur se ende të kujtojnë te Tirana duke thënë: “Nëse Egbo do të ishte këtu, nuk do të ndodhte kjo ose ajo gjë”.  Ka të bëjë me pjesën e komunikimit me lojtarët apo me vendosjen dhe procesin stërvitor?

Ka të bëjë me shumë gjëra. Egboja është i veçantë, nuk i ka dy në gjithë botën. E para duhet të jetë njeriu dhe pastaj vjen sporti. Mënyra se si i bëj unë gjërat nuk janë njësoj me të tjerët. Në momentin e parë që erdha te Tirana në 2014, kam punuar vetëm për interesat e ekipit, jo interesat e mia. Nëse do të kisha bërë keq në gjithë atë kohë, nuk do ta kisha fituar atë kampionatin në vitin e kaluar. Kështu më rritën prindërit dhe i falënderoj për gjërat që më kanë mësuar në jetë.

Për ta mbyllur me Vllazninë, pasi e tërheq vëmendjen me suksesin e arritur. Disa e krahasojnë me Tiranën tuaj dhe të tjerë gjejnë pika të përbashkëta me Leicesterin kur fitoi titullin kampion në Angli. Kush i ngjason më shumë kësaj Vllaznie?

Për ta krahasuar me Leicesterin është shumë sepse është në nivelin tjetër. Unë them se Vllaznia po kopjon me detaje shumë gjëra që ka bërë Tirana vjet për të dalë kampion. Janë me këmbë në tokë, kanë harmoni, marrin ndeshjet një nga një. Të gjitha këto ishin cilësitë e Tiranës në sezonin e shkuar. Ndryshimi është se Vllaznia ka filluar nga ndeshja e parë që po kryeson, ndërsa Tirana ishte në pozicionin e 9 me 12 dhe fitoi kampionatin më pas. Megjithatë e shoh Vllazninë drejt titullit nëse nuk i hipën vetja në qejf dhe nis euforia. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online