Ekskluzive/ E provokojmë për Poloninë, trajneri i Legias së Varshavës: Më vjen keq për ju në Shqipëri, por duhet t’ju zhgënjej pak tani, shikoni vendin e dytë

Intervistoi Klaudio Ndreca

Shqipëria do të përballet kundër Polonisë në transfertën e Varshavës. E gjithë vëmendja është e drejtuar te kuqezinjtë që nisin kapitullin e ri me trajnerin Silvinjo. Deri ku mund të shkojmë me brazilianin? Gjermania nuk mund të jetë vetëm një ëndërr, tanimë është kthyer në objektiv.

Lojtarët e Kombëtares janë pjesë e klubeve elitare të Europës. Një prej futbollistëve që mungoi në listën e Silvinjos për ndeshjen me Poloninë dhe habiti jo pak opinionin sportiv ishte Ernest Muçi. Ky i fundit po kalon formë fantastike te Legia, duke realizuar edhe një tjetër super gol në miqësoren e sotme.

Sport Ekspres ka intervistuar trajnerin e Legias së Varshavës, Kosta Runjaic. Teksa e provokojmë nëse Polonia do të luftojë me Shqipërinë për vendin e parë apo Polonia do të luftojë me Çekinë për vendin e dytë, duke e quajtur të garantuar kualifikimin tonë në Europian, Runjaic u përgjigj me batutë.

A jeni të surprizuar që Ernest Muçi nuk është grumbulluar te Kombëtarja e Shqipërisë kundër Polonisë?

Unë e shikoj Ernestin çdo ditë në fushë dhe mendoj se ka treguar mjaftueshëm në këtë sezon për t’u përfshirë në Kombëtare. Nuk është një lojtar vetëm me cilësi individuale fantastike, ka treguar se mund të punojë shumë mirë edhe me shokët e ekipit. Ai vrapon dhe vrapon, nuk ndalon kurrë së punuar në fushë. Nëse arbitri nuk do të vërshëllente fundin e ndeshjes, Ernesti me siguri që do të vraponte derisa të binte nata. Jam shumë i lumtur që e kam në ekip.

Nëse Muçi do të ishte polak, a mund të luante për Kombëtaren e Polonisë?

Për mua është padyshim një nga lojtarët më të mirë për moshën e tij në elitën e futbollit të Polonisë. Por nëse mund të thirrej nga Kombëtarja e Polonisë nëse do të ishte polak? Ka vetëm një njeri që mund të kthej përgjigje te kjo pyetje dhe ai është Santos, trajneri i Polonisë. Nuk mund të lexoj mendjen e tij.

Përse Celhaka nuk po luan dhe nuk është si rasti i Mucit? Në Shqipëri ishte një prej mesfushorëve më të mirë, por te Legia shihet më tepër në ekipin e dytë.

Nuk është faji i Celhakës, thjesht ne kemi një nga lojtarët më të rëndësishëm në pozicionin e tij, Bartosz Sliz. Ne luajmë vetëm me një mesfushor në rolin që ka Celhaka dhe Slisz po bën një punë fantastike. Prandaj Celhaka duhet të ketë durim. E shikoj se çfarë është i aftë të bëjë në stërvitje, jam i kënaqur me cilësitë që ai ka dhe është padyshim i përkushtuar në stërvitje.

Cilët janë futbollistët e Shqipërisë që ju njihni më tepër dhe çfarë cilësie kanë, që i dallon nga të tjerët?

Futbolli shqiptar sigurisht që ka përfituar nga fakti që shumë shqiptarë emigruan në shumë vende të ndryshme evropiane. Prandaj futbollistët shqiptarë u edukuan në kultura krejtësisht të ndryshme futbolli. Kjo i jep Kombëtares një larmi të madhe lojtarësh. Por do të gënjeja nëse do t’ju bëja një përmbledhje të detajuar teknike për lojtarë si Nedim Bejrami apo Myrto Uzuni. Fokusi im është te futbolli polak, kështu që nuk shikoj rregullisht klube italiane apo spanjolle si Sassulo apo Granada për të gjykuar këta lojtarë.

A mendon se Polonia do të luftojë me Shqipërinë për vendin e parë apo do të luftojë me Çekinë për vendin e dytë?

Më pëlqen ky entuziazmi juaj që keni për Kombëtaren e Shqipërisë, por, fatkeqësisht, më duhet t’ju zhgënjej pak. Polonia është ekipi më i fortë i grupit, ka lojtarë klasi si Lewandowski dhe Zielinski dhe kanë shumë lojtarë të rinj të talentuar si Jakub Kaminski. Prandaj ju duhet të jeni shumë të kënaqur nëse dilni në vendin e dytë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online