Kukësi ka gjetur në Europa League një kundërshtar të vështirë, Slavia Sofien. Verilindorët do të provojnë ta nisin me vrull aventurën e tyre dhe nëse do ta kalojnë këtë tur, futbollistët e drejtuar nga ana e Skënder Gegës do të fitojnë besimin për vazhdimësinë.
Sigurisht që ekipet në Europë nuk mund të jenë të thjeshta, por prova e parë e zjarrit në mënyrë të menjëhershme, e rrit edhe më tepër vështirësinë e suksesit në Europë. Megjithatë te Kukësi mund të shpresojnë, pasi në krye të ekipit ka ardhur Skënder Gega.
Një trajner që është sinonimi i fjalës “sukses” dhe me të mund të mbërrihet larg. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Gega shprehet optimist edhe për vetë faktin se kjo përballje do të zhvillohet në Shqipëri, duke marrë aspektin më pozitiv.
“Po, ne jemi të qartë se me kë do të përballemi. Nuk mund ta them sot sesi do të jetë kjo përballje. Mendoj se nuk ka ndeshje të lehta, përpara se të nisësh dhe të luash. Do të punojmë që të vijmë 100% në formë deri në ditën e ndeshjes. Kam vetëm 4 ditë në krye të skuadrës dhe jam shumë optimist. Deri në këto momente jam i kënaqur me atë që kanë treguar futbollistët, me seriozitetin në stërvitje. Ndeshja në Shqipëri është një motiv i madh që na bën të besojmë”, tha Gega. /Sport Ekspres/