Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria do të luajë dy finale të vërteta në muajin tetor kundër Hungarisë dhe Polonisë për kualifikueset e Botërorit. Nëse do të diskutonim që në momentin kur u hodh shorti për vendin që kërkonim në renditje, të gjithë do ta cilësonin si hap pozitiv dhe do të ishin të lumtur me pozitën e tretë. Por pas mbarimin të Europianit, kishte jo pak frikësim për gjendjen dhe formën që po kalonte Hungaria, e cila për një moment u duk edhe më e fortë se vetë Polonia e Leëandoëskit.
E tanimë jemi në moment kur nëse Shqipëria do të dali e treta, shumëkush do ta cilësojë “dështim”. Kohë të ndryshme dhe mënyrë perceptimi e ndryshme sesi i shohim gjërat. “Sport Ekspres” ka intervistuar Eduart Zhupën, për të kuptuar më mirë sesi pritet që të luajë Reja në aspektin taktik ndaj Hungarisë.
Ndeshja me Hungarinë dhe Poloninë. Për të siguruar vendin e dytë, na duhen me patjetër gjashtë pikë. Por me sa pikë mendoni se mund të dali realisht Shqipëria në këto dy takime në bazë të potencialit që ka?
Unë mendoj se ndeshja me Hungarinë do të jetë më e rëndësishme për Shqipërinë dhe trajnerin. Nëse Shqipëria fiton në bazë të gjendjes së mirë fizike të lojtarëve dhe aktivizime në klubet e tyre, do të jetë më e rëndësishme. E nëse ne arrijmë që të fitojmë me Hungarinë, atëherë do të na jepte një avantazh shumë të madh për ndeshjen e kthimit me Poloninë. Nëse kërkojmë që të sigurojmë kualifikimin për vendin e dytë, patjetër që na duhen 6 pikë.
Trajneri Reja! Si të është dukur në kualifikueset e Botërorit? Ka një grup që e kritikojnë dhe një tjetër që e vlerëson se po ndryshon mentalitetin e lojës te një vendi që guximin nuk e njeh në kohët e sotme…
Shoh vendosjen e skuadrës me tre mbrojtës, ka filozofinë e tij dhe nuk lëviz nga ajo. Kemi 4 lojtarë që bëjnë rolin në mesufshë me Hysaj-Gjasula-Bare-Trashi që kanë frekuencë të mirë fizike dhe teknike dhe dy sulmues që bëjnë edhe mesfushorin me veprimet e tyre. Në anën fizike dhe psikologjike mund të shfrytëzohet Broja pasi i ka shënuar edhe në ndeshjen e parë Hungarisë, për më tepër që vjen nga një kampionat që i përshtat lojës së hungarezëve. Ata do të luajnë pa tifozë dhe kjo na jep avantazh. Reja nuk do të bëj ndryshime do të jetë e njëjta metodik pune në lidhje me aktivizimin e lojtarëve dhe formacionin. Në fillim objektivi ynë ishte të rrinim pas Polonisë, por pastaj pamë Hungarinë që shkëlqeu në Europian. Mendoj se puna e Rejës është shumë e mirë dhe në bazë të eksperiencës që ai ka në Serinë A mund ta shfrytëzojmë për të kaluar në Botëror.
Le të merremi pak me Hungarinë. Është e vërtetë që është më lartë se ne në UEFA dhe FIFA, por nga ana tjetër lojtarët tanë janë më të njohur në Europë. A duhet të kemi më shumë besim në forcat tona?
Lojtarët tanë po luajnë në nivelet më të larta dhe janë më mirë në aspektin psikologjik dhe më të formuar. Në pikëpamjen taktike duhet ta posedojmë topin 30 metra larg portës tonë, ta mbajmë sa më larg kundërshtarin. Futbollistët tanë e kanë këtë mundësi për ta zotëruar topin. Hungaria do të hapi punë pasi do të luajë hapur dhe me patjetër për të fituar ndeshjen. Me cilësi individuale do të ishte më mirë në thellësi Cikalleshi. Është dhe një gjë e mirë pasi ndeshja e fundit me Hungarinë është zhvilluar para pak kohësh dhe lojtarët e Shqipërisë e kanë të freskët mënyrën sesi luajti kundërshtari, në anën fizike ishim më mirë dhe kjo i rrit motivimin.
Armando Broja, Cikalleshi, Uzuni, Manaj. Nëse ti do të ishte trajneri i Shqipërisë, kujt dyshe do t’i besoje me Hungarinë?
Uzuni është lojtar që punon shumë mirë në lojën pa top, në zonën boshe, e njeh mentalitetin hungarez shumë mirë. E njëjta gjë edhe për Cikalleshin. Për mua do të ishte më mirë kjo dyshe dhe do të jetë e njëjta metodikë punë si këtu me Hungarinë. Por me rëndësi është që të marrim tre pikët që mund të na dërgojnë për herë të parë në Botëror.
Rei Manaj është gjithmonë një lojtar ekstremesh për tifozët, ose e duan shumë ose e urrejnë shumë, nuk e njeh të mesmen. Në vështrimin tënd sa shumë kontribut i jep Kombëtares ky lojtar?
Manaj është lojtar driblues i mirë dhe i shërben edhe ai shumë mirë zonave boshe. Nëse do të kërkojmë avantazhin në pjesën e dytë, për mua do të ishte më shumë efikas Manaj në atë moment. Por për të mbajtur në tonus dhe në presion Hungarinë, që të pengohet loja e tyre sulmuese që nis në futbollin modern që nga mbrojtësi, duhet presioni që bën Cikalleshi dhe Uzuni. I hapin më shumë punë rivalit në këtë aspekt.
Problemi më i madh është në vendin ku kemi pasur më shumë siguri, porta. Mos është radha e Selmanit?
Për mua duhet të jetë Berisha. Nuk ndryshon vendosja në portë, ndryshe do të ishte eksperiment dhe kalim në aventurë. Në këtë moment duhet eksperienca. Të tre portierët janë të mirë, por mbrojtësit, mesfusha dhe sulmi duhet të jenë të qetë pas shpine.
A duhet t’i ushtrojmë shumë presion djemëve për të mbajtur vendin e dytë? Në pritshmëritë më të mëdha ka zhgënjime më të mëdha dhe nëse rast dështimi, këta lojtarë që nesër mund të cilësohen heronj, mund të kthehen edhe në futbollistë që janë ngritur nga mediat…
Në këtë moment na duhet ajo që ne e themi psikologjia e ftohtë. Duket pasur presion, nuk shprehesh mirë. Nëse ruan qetësinë dhe do të kemi përgatitjen e duhur, do të shprehemi më mirë dhe do të dalim me sukses nga Hungaria. /Sport Ekspres/