Nga Klaudio Ndreca
Superiorja është në javën e pestë dhe vëmendja është maksimale. Si rrallëherë, kemi shtatë ekipe që pretendojnë për titullin kampion dhe nga krahu tjetër një Egnatia, e cila mund të kthehet në surprizën e kampionatit. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me Eduart Zhupën për të marrë mendimin e tij rreth kampionatit shqiptar.
Vëmendja kryesore është te derbi dhe veçanërisht Partizani, që nuk po kalon moment të mirë. Megjithatë Zhupa shprehet se në një klub profesionist nuk mund të shkarkohet trajneri Daja edhe nëse humbet derbin, pasi janë pak javë dhe rezultatet e sezonit të shkuar tregojnë qartësisht punën e këtij tekniku.
Ndërkohë kur flitet për Vllazninë që në dy fitore ka arritur të shënojë përkatësisht 5 dhe 6 gola ndërsa në takimet e tjera ka “vuajtur” në këtë aspekt, nëse mund ta themi kështu, Zhupa është shprehur se shkodranët mund t’ia dalin nëse vazhdojnë që të paraqiten gjithmonë me futbollin e bukur. Egnatia? Në transfertë do të kenë probleme shumë skuadra të mëdha.
Dinamo është një nga temat kryesore. Ajo që vëmë re në momentin që shënon, kthehet e gjitha në mbrojtje dhe kur mbron me shumë veta, nuk mbron mirë. Tre herë në avantazh në pesë ndeshje dhe nuk e mban dot fitoren. Si e vlerëson?
Kjo është më tepër pjesë e koordinimit të grupit, mesfushë-mbrojtje. Nuk duhet të harrojmë se te Dinamo ka pasur frekuencë të madhe, pra nuk ka shtyllë kurrizore. Sigurisht që drejtuesit duhet të analizojnë mirë pasi po krijohen hapësira të madhe në prapavijë. Ekipi duhet të mbrojë në bllok, nuk mbron vetëm mbrojtja. Skuadra është ndërtuar së fundmi dhe do kohë e saj që të shprehet. Ka kualitet, por duhet treguar në fushën e lojës. Unë mendoj se duhet futur filozofia e lojës së Dinamos, nuk duhet të sulmojë nga krahët, por të jetë më vertikale. Gjithsesi këto janë vendime dhe skema që i vendos trajneri.
Partizani! Nëse humbet ndaj Tiranës, mendon se Daja mund të largohet nga kjo skuadër? Sa përgjegjësi ka në këto rezultatet?
Partizani kur ka qenë në krizë ka marrë rezultatet pozitive kundër Tiranës. Ka gjithmonë adrenalinë brenda dhe Tirana ka bërë hap cilësor si në merkato dhe mënyrës së marrjes së rezultateve. Duhet parë dhe shëndeti i lojtarëve, mund të minimizohen ekipet deri në ndeshje. Janë dy ekipe që i japin tonin Superiores. Nuk mendoj se do të ketë lëvizje të pankinës pavarësisht rezultatet te derbit. Nuk kanë kaluar shumë javë nga nisja e kampionatit dhe si një klub profesionist, nëse shkarkohet Daja pas humbjes në derbi do të ishte gabim. E njeh këtë ekip dhe ka marrë rezultate pozitive në të shkuarën.
Kaçe, erdhi me shumë bujë dhe është hija e vetvetes deri tani. E prisje?
E njoh pjesën mentale kampionati grek pasi kam punuar atje, do kohën e tij që të përshtatet. Nuk është vetëm pjesë fizike, por edhe ndërthurje e lojës. Partizani ka pasur lojtarë të rinj, kanë prespektivë, por në ndeshje të tilla duhet që repartet të unifikohet. Për mua më shumë problem te Partizani në këto ndeshje ka qenë mbrojtja se mesfusha. Kaçe ka nivel të lartë dhe gjatë rrugës mund të rregullohen gjërat.
Vllaznia! Ka vetëm dy fitore në pesë ndeshje dhe në të dyja rastet ka shpërthyer në gola. Përse ndodh kjo? Pra në rastet e tjera nuk del dot kaq lehtë të golit, ndërsa në fitoret e arritura, shënon sa për pesë javë…
Duke parë edhe deklaratat e klubit, kanë zgjidhje më afatgjatë. Nuk e kanë prishur strukturën e skuadrës, kanë bërë dy ndeshje të mira me Laçin dhe Dinamon, që janë pretendente me cilësitë që kanë. Lëvizjet që ka bërë Vllaznia, për mua duhet të jetë më frontale. Vllaznia brenda prodhon lojë të mirë, ka mbështetje psikologjike. Është një qytet që e duan futbollin duhet të prodhojë lojë sa më të bukur dhe nëse e bëjnë këtë, do t’i vijnë rezultatet pozitive.
Latifi! Po rikthehet në nivelet më të larta, a mund ta tërheq ekipin drejt titullit kampion?
Këto janë prurje të studiura dhe vijnë nga niveli i lartë, ka dy lloje elementesh. Forma e futbollistit mund të rritet dhe të bjerë, por cilësia dhe spektakli janë gjithmonë brenda tij. Duhet ndërthurur mes përgatitjes dhe cilësive individuale. Latifi ka shumë cilësi dhe në ndeshje të caktuara mund të marri mbi vete gjithë peshën dhe të zgjidhi ndeshjet kryesore.
Shumë i komentuar edhe Laçi për rezultatet negative. Por pavarësisht trajnerit, Guindo nuk arrin ende që të shënojë…
Histori e përsëritur te Laci, ka pasur luhatje në javët e para edhe në sezonet e kaluara, ka ndërruar trajnerë, ka bërë merkato të mirë në janar dhe më pas kthehet ku duhet. Laçi ka eksperiencë në drejtim, personat aktualë kanë 15 vite që e drejtojnë, e njohin mirë. Është më shumë pjesë psikologjike dhe mentale e lojtarëve për të dalë te rezultatet pozitive.
Egnatia, a mund të jetë surpriza e këtij viti?
Egnatia po i merr ndeshjet javë pas jave. Ka një trajner me shumë eksperiencë, aktualisht janë në objektivin e tyre dhe po marrin më të mirën. Do të jetë ekip që do të bëj rezistencë të mirë. Në stadiumin e Egnatias do të kenë probleme shumë ekipe, duhet të kenë vëmendje. Pedro Augusto? Ka shumë cilësi të mira individuale ky lojtar! /Sport Ekspres/