Ekskluzive/ “Bisedat me Xhaferin më bindën”, Brdariç: Ekipet presin, ne përgjigjemi pas humbjeve

Me 37 pikë të grumbulluara në këto 18 javë të luajtura, Vllaznia ka bërë atë që në fillim të kmapionatit ndoshta nga tifozët dhe opinioni sportiv mund të quhej një çmenduri. Fundi i një sezoni më parë i gjente në luftë për mbijetesën, ndërsa sot disa muaj më vonë kuqeblutë udhëheqin të qetë Kategorinë Superiore. Ndryshimet në staf kanë dhënë efektet e dëshiruara dhe dora e trajnerit Tomas Brdariç ka nisur të ndjehet prej kohësh.

Në një intervistë për “Sport Ekspres” kreu i pankinës shkodrane rrëfen rrugëtimin e tij te Vllaznia. Gjithçka nis pas në kohë, atëherë kur Brdariç zgjedh të pranojë këtë aventurë të re në karrierën e tij.

“Së pari, duhet të jesh çdo herë i bindur dhe i përgatitur mirë në futbollin profesionist kur fillon një mision si këtu te Vllaznia. Bisedat me Alban Xhaferin ishin shumë të mira dhe ai më bindi për këtë aventurë. Shkodra është një vend i këndshëm me njerëz të mirë dhe të sjellshëm. Është e përshtatshme për të menduarit tim dhe jemi ambientuar shumë shpejt me njëri-tjetrin. Kjo ndoshta është edhe një pjesë e punës së përshtatshme dhe të duhur”, thotë fillimisht gjermani.

Megjithëse synimet në kampin kuqeblu tashmë kanë shkuar në qiell, trajneri 46-vjevar i mban këmbët të mbështetura fort në tokë. Brdariç e di se vetëm përulësia dhe puna e madhe të dërgojnë drejt suksesit.

“Ne qëndrojmë në tokë dhe jemi të përulur me situatën aktuale, sepse vitet e fundit Vllaznia ishte larg suksesit në Superligë. Ne punojmë shumë për të pasur privilegjin e të qenurit në krye. Por ne e arrijmë atë me mendje të pastër. Nuk mund të krahasojmë Superligën me Bundesligën. Jemi në Shqipëri, jo në Itali apo Gjermani. Nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët se duhet të jemi realistë për të gjitha çështjet. Humbjet janë një pjesë e lojës që ne merremi dhe kujdesemi në një mënyrë profesionale, jo shumë emocionuese si tifozët tanë. Ne vuajmë dhe mësojmë nga ndeshjet tona.

Disa skuadra rrinë në pritje për ndalesën tone. Ne e kemi përballuar mirë këtë situatë në të kaluarën dhe tregojmë përgjigje të mira pas humbjeve. Tani nuk është asgjë ndryshe. Ne vazhdojmë punën tonë si çdo herë”, shprehet ish-sulmuesi.

Së bashku me të në Shkodër ka mbërritur edhe i biri, Tim Brdariç, i cili është bashkuar me të rinjtë e Vllaznisë. Në lidhje me praninë e djalit të tij në skuadrën me të cilën ai drejton, Tomas Brdariç shprehet:

“Ne i trajtojmë të gjithë lojtarët e rinj njësoj. Tim është një pjesë e ekipit të perspektivës. Ne i japim të gjithëve një mundësi që të rriten me ekipin kur ata na tregojnë një dëshirë dhe vendosmëri të madhe. Disa lojtarë kanë nevojë për më shumë kohë sesa disa lojtarë të tjerë. Ky është një zhvillim njerëzor. Të gjithë lojtarët kanë një vlerë dhe puna jonë është të japim mbështetje dhe një vizion për të arritur qëllimet tona dhe deri më tani kemi bërë një punë të shkëlqyeshme”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *