Ekskluzive/ A ka folur me Takajn për vendimin e UEFA-s? Skënder Gega tregon qëndrimin që do mbajë me arbitrat në Superiore: Sinqerisht…

Nga Klaudio Ndreca

Skënder Gega është rikthyer që të drejtojë sërish në Superiore, na kishte munguar! Padyshim që ardhja e këtij trajneri në elitën e futbollit shqiptar i shton më tepër vlerat e produktit tonë në tërësi. Në kohën kur Gega do të mbërrinte te Partizani, që trumbetonte me zë të lartë “padrejtësitë” që i bëheshin çdo javë, trajneri mori situatë në dorë.

“Asnjë fjalë për arbitrat, përgjegjësinë e mbajmë mbi vete”. E në këtë mënyrë, rezultatet i dhanë të drejtë teksa nën heshtjen e punës, Partizani arriti që të merrte vendin e parë dhe të fitonte kampionatin. Aftësitë e këtij trajnerin dihen tanimë, do të ishte e kot për të vazhduar më tej me përshkrimin.

Por nëse ka një dyshim të vetëm në këtë vendim të Skënderbeut, ose më mirë të presidentit Takaj, është sesa do të përshtatet një trajner që është mësuar me ekipe që kanë si objektiv titull kampion për të lu.ftuar rreth qëndrimit në kategori. Kjo pasi një teknik që është ekspert i ekipeve për t’i nxjerrë nga zona e ftohtë jo me patjetër është i aftë për të nxjerrë një skuadër kampione dhe e anasjellta.

Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Gega i përgjigjet kështu këtij dyshimi: “Mendoj se çdo ekip apo trajner ka momentet e tij të vështira. Personalisht e shoh këtë sfidë si çdo sfidë tjetër që kam pasur në ekipet e mia. Shumë gjëra duhet të shkojnë paralele dhe gjërat do të rregullohen. Është e vërtet që do të jetë e vështirë, por kjo e bënë punën tonë më ambicioze. Me punë, duke besuar te lojtarët dhe duke u korrigjuar në disa aspekte, mendoj se mund të bëjmë mirë”, tha Gega.

Por a do të mbahet e njëjta filozofi si te Partizani karshi arbitrave, në një Korçë të trazuar mes kontestimeve të herë pas hershme? “Personalisht i qëndroj dhe këmbëngul se futbolli është një sport që duhet të japi mesazh. Edhe nëse nuk arrin rezultat apo objektivat, gjëja më e rëndësishme për mua është që të luajmë Fair Play, të përcjellim mesazh positiv, të mos krijojmë asnjë situatë apo të shohim rivalët si armiq.

Askush nuk është i pagabueshëm. Gabimi më i madh është nëse nuk shohim problemet tona. Ekipi është një grup me djemë të pasionuar dhe edukuar. Patjetër që duhet ta vlerësojnë veten dhe të besojnë se i kanë të gjitha mundësitë për t’ia dalë. Klubi dhe Takaj nuk i ka ngarkuar kurrë me presion, por unë i kam kërkuar të marrin më shumë përgjegjësi se mundësitë i kanë”, vijon trajneri.

Në konferencën e prezantimit të Gegës, i pari që foli ishte Takaj i cili përmendi edhe UEFA-n duke shpresuar në faljen e dënimit. Pra, me një llogjikë të thjeshtë, nëse vjen një emër si Skënder Gega te Skënderbeu, atëherë njëfarë drite ka nisur të shihet në fund të tunelit. Por vetë trajneri është shprehur se nuk e ka diskutuar këtë çështje me Takajn.

“Sinqerisht, nuk kam folur. Ka qenë një ditë e ngarkuar për mua me ekipi në fushë dhe jashtë saj. Koha është e shkurtër. UEFA është diçka që të gjithë e presin, por unë dua të dalim nga kjo situatë, ky është trofeu unë tani për tani. E pranova këtë sfidë pa asnjë kushtë, ishte dëshira e të dy palëve për të dalë nga këtu. Shpresoj dhe kam besim se gjërat do të rregullohen. Nëse po, do të isha shumë i lumtur”, përfundoi Gega. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *