Nga Klaudio Ndreca
E gjithë vëmendja e tifozëve të Shqipërisë në mbrëmjen e nesërme do të jetë në Tel Aviv. Djemtë tanë do të zbresin në fushën e blertë për të matur forcat me Izraelin, në një stadium të tej mbushur. Në momentin kur u hodh shorti dhe Rusia u përjashtua, menjëherë objektivi i Kombëtares u kthye për vendin e parë të grupit. Përpara këtij dueli vendimtar, “Sport Ekspres” ka intervistuar një figurë të shquar si Agustin Kola. Ky i fundit kishte vetëm një këshillë për t’i dhënë lojtarëve të Shqipërisë: “Mos dëgjoni ish-at tanë, kanë bërë më keq se ju”.
Si e shikon ndeshjen me Izraelin, sa mendon se do të ndikojë presioni te Kombëtarja?
E para e punës nuk duhet të harrojmë se kemi shumë mungesa. Është Portugalia dhe kur i mungon një lojtar, e ndien menjëherë, jo ne. Sigurisht që unë uroj me zemër që të fitojë Shqipëria në këtë ndeshje. Por më vjen keq me mënyrën sesi e komentojnë analistët, këta ish-lojtarët, trajnerët. Lërini djemtë që të luajnë pa presion, jepini vetëm kurajo që të shpalosin aftësitë e tyre siç bëjnë edhe në klubet ku luajnë. Ata po luajnë në ekipet më të mira në botë dhe bota është profesioniste, atje nuk të mban askush kot.
A do të ishte dështim nëse Shqipëria nuk e merr vendin e parë?
Jo, për mua nuk do të ishte dështim. Siç të thashë ndodhemi në këtë situatë me dëmtime dhe pa disa lojtarë kryesorë. Nuk duhet që ta komentojmë në këtë mënyrë. Nuk është turp që Izraeli ta mund Shqipërinë, ashtu siç nuk është turp që Shqipëria ta mundi Izraelin. Përse do të ishte dështim? Kombëtarja po ngrihet me rezultatet e saj, po vjen gjithmonë e më lart. Ne duhet të jemi mbështetësit e saj të parë.
A është kjo një ndeshje për Rejën, që të tregojë gjithë eksperiencën e tij të mëparshme?
Reja ka shumë eksperiencë mbi shpatulla, nuk duhet të kemi diskutim për këtë. A e kemi bërë historinë me De Biazin? Funksionojnë ndryshe trajnerët e huaj, nuk funksionojnë si shqiptarët. Thonë në media se përse nuk ka marrë Reja lojtarë nga Superiorja te Kombëtarja. Më thoni pak mua tani, kë lojtar la jashtë Reja nga Superiorja që e paska merituar? La jashtë futbollistët që bëjnë stërvitje vetëm dy orë në ditë? Dilni pak më tutje, edhe në Strugë të dilni ndryshon profesionalizmi në stërvitje. Mua më vjen kaq shumë keq për djemtë e rinj, për ju. Më vjen keq se Shqipëria ka talente në raporte me popullësinë ashtu si edhe Brazili. Por askush nuk i jep një ndihmë, një mundësi këtyre talenteve. Trajnerët në Shqipëri funksionojnë zakonisht dhe fusin lojtarët nëpërmjet njohjeve të tyre, miqësive që kanë. I ke gjithmonë nga 4-5 trajnerë që qarkullojnë kudo, marrin një ekip e nxjerrin kampion, shkojnë të rrëzojnë një tjetër dhe të marrin një tjetër. Kjo është historia jonë që po na lë mbrapa.
Po thua që nga ana e ambientit sportiv ka një presion të tepruar, që ndoshta nuk i përshtatet realitetit?
Sa herë keni dëgjuar këta trajnerët shqiptarë duke folur për Kombëtaren tani. Pa më thoni pak kur e kishin këta Shqipërinë në drejtim, se disa prej tyre e kanë pasur, çfarë vendesh ka zënë Shqipëria atëherë? Prandaj nuk duhet të shkojmë më gjatë te kjo temë. E kanë pasur dhe kemi qenë në vendet e fundit të renditjes. Nuk mund të nisin këta tani dhe të kritikojnë këtë Kombëtare për rezultatet që arrin.
Sa të lidhur i shikon këta futbollistë me fanellën e Shqipërisë?
Këta futbollistë po e përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht në Europë. Këta lojtarë dhe Kombëtarja pastron imazhin e asaj që shihet zakonisht për shqiptarët nëpër mediat e huaja, të asaj që shohin përditë atje. E keni parë edhe vetë se çfarë ndodhi kur ne shkuam në Francë. E arritëm kulmin tonë. Më kujtohet edhe në kohën time kur kam qenë në Greqi. Presidenti i ekipit tim mburrej, krenohej atje. U thoshte të tjerëve: “Hej, unë kam një lojtar të Kombëtares së Shqipërisë këtu”. Kjo nuk ndodhte vetëm me mua, por edhe me lojtarët e tjerë të Shqipërisë që ishin në Greqi. Pra pavarësisht historisë që dihet me Greqinë, sërish krenoheshin me ne. Është gjithmonë kënaqësi e madhe kur ti përfaqëson vendin tënd.
Përse ndodh gjithmonë pjesa e luhatjes së rezultateve. Ka të bëjë me ADN tonë apo është një tjetër problem?
Nuk ka lidhje me genin apo ADN. Ka të bëjë me stolin. Kombëtaret e tjera e fusin një lojtar nga stoli dhe heqin një titullar, cilësi është po e njëjtë, nuk ndihet. Ndërsa ne nuk e kemi këtë lloj cilësie. Pra nëse ti e heq Hysajn sot dhe fut një lojtar të ri, nuk pret nga ky lojtari i ri që të arrijë të njëjtin nivel si Hysaj në fushë. Janë 22 lojtarë në total, pra ka të bëjë me stolin. Sa i përket ADN, ne shqiptarët kemi problem me smirën. E shoh kudo këtë në fakt, e kam parë edhe me Myrto Uzunin. Ai realizoi një gol kundër Spanjës me kokë. Të gjithë thonin që ishte fat, i ra topi në kokë dhe hyri gol. Dakort jam, por unë po ju pyes tani: “Po të mos vraponte Uzuni, do i binte topi në kokë?”. Po të mos e ndiqte aksionin Uzuni, a do t’i binte topi në kokë? Nuk ka sesi të realizohet goli vetë, pa u përkushtuar ti për të. Ua them edhe fëmijëve të vegjël që gjithmonë ndiqeni aksionin deri në fund, mos e lini. Pastaj ajo është shumë normale që goli do të bëhet pasi të bëj një gabim kundërshtari. Por ne kemi shumë smirë dhe themi kështu: “Hë mo se fat ishte, i ra topi në kokë atit”. Mos harroni sesa shumë kanë punuar këta djem, edhe Uzuni që sot tani luan te Granada në nivel të lartë apo edhe lojtarë të tjerë.
Si e parashikoni ndeshjen me Izraelin, e keni besimin për të fituar?
Dua me zemër që të fitojmë me Izraelin. Dua që të fitojmë se do të nderohen të gjithë shqiptarët. Gjithmonë e mbushin plot stadiumin kur luan Kombëtarja. Por gjithmonë duhet t’i japim kurajo dhe mbështetje djemëve.
Më pas do të na priste një stadium i tejmbushur me Islandën për të luajtur shanset e fundit për vendin e parë…
Unë nuk zgjedh që të jem në tribunën e VIP-ave, preferoj të shkoj te tifozët e thjeshtë. Përse të jesh aty? Vijnë njerëz që nuk e kanë parë ndonjëherë futbollin, që nuk shkojnë ndonjëherë në stadium. Vijnë njerëz që diskutojnë për ngjyrën e flokëve të një futbollisti, për modelin që ka bërë. Ka më shumë emocion të jesh te tifozët e tjerë.
A pret që kjo përballje të zgjidhet nga Armando Broja?
Armando Broja është talent i madh, nuk e diskutoj fare këtë pjesë. Është te Chelsea dhe kjo flet vetë. Por në futboll nuk fiton dot kurrë i vetëm. Nuk duhet të presim që një lojtar të na zgjidh ndeshjen, është lojë grupi, na duhen të gjithë.
Para këtij takimi me Izraelin, ke ndonjë këshillë për lojtarët e Shqipërisë?
Po e kam një këshillë për lojtarët e Kombëtares. Këshilla ime është të mos më dëgjoni mua dhe shokët e mi. Mos dëgjoni këto ish-at se çfarë flasin. Mos i dëgjoni se në kohën e tyre kur kanë qenë kanë bërë më keq se tani. /Sport Ekspres/