Ekipet shqiptare në Europë dhe Vardari rrëzohet! Renditja në Maqedoni, më mirë as sikur ta shkruanin shqiptarët me dorë

Edhe nëse vetë shqiptarët do ta kishin shënuar me dorën e tyre mënyrën sesi dëshironin që të mbyllej kampionati në Maqedoninë e Veriut, nuk do të dilnin në një variant më të mirë sesa renditja aktuale. Shkëndija e Tetovës është shpallur si kampione dhe Shkupi vjen menjëherë në vendin e dytë.

Në këtë kampionat janë tre vendet e para që arrijnë në Europë dhe si për të plotësuar këto vende vetëm me ambasador shqiptar, mendon Shkëndija. Kuqezinjtë e Tetovës humbën ndeshjen me Struga Trim Lum duke i dhënë kësaj të fundit mundësinë që t’i afrohet vendit të tretë që mbahet nga Makedonija me vetëm 1 pikë distancë.

Qartësisht Shkëndija uli diçka në marshin e saj në përballjen kundër ekipit shqiptar, ndërsa tifozët kishin kërkuar nëpërmjet rrjeteve sociale që ekipi i tyre të humbiste në mënyrë që në Europë të kalojnë tre skuadra shqiptare dhe asnjë maqedonase.

Por puna e Shkëndijës nuk mbyllet vetëm këtu. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit, Shkëndija e Tetovës do të luajë në ndeshjen e radhës kundër Makedonija GP. Pra duke rikthyer marshin e ulur ndaj Strugës në përballjen kundër Makedonijas, Shkëndija bën të mundur përfaqësimin shqiptar në Europë.

E këtu nuk kemi mbaruar akoma pasi rivali “i përjetshëm” i kuqezinjëve të Tetovës, Vardari, është thuajse i rënë nga kategoria mes krizës së madhe që e ka përfshirë. Çfarë mund të donin më tepër shqiptarët nga kampioni në Maqedoninë e Veriut? /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *