Në trekëndëshin merkato, transferime, huazime, priten jo pak lëvizje. Drejtuesit pohojnë njëzëri se gjatë këtyre ditëve do të mbërrijnë 4-5 përforcime të tjera
Fatmir Efica
Pushimet e festave të fundvitit për Egnatian do të vazhdojnë deri të dielën. Të hënën, në datën 8 janar, skuadra do të nisë punën për pjesën e dytë të garës. Pritet që sipas drejtuesve të ketë lëvizje. Madje po punohet me një filozofi të qartë mbështetur në trekëndëshin merkato, transferime, huazime, që nënkupton se gjatë këtij muaji të parë do të afrohen dhe largohen disa futbollistë por duke e parë këtë proces të rëndësishëm pa cenuar synimet shumë të qarta që ka stafi drejtues. Konkretisht do të punohet edhe më me ngulm për një skuadër edhe më e fortë e më cilësore që të pretendojë deri në metrin e fundit të finishit të këtij sezoni ngjitjen e rikthimin e saj në Kategorinë Superiore. Kujtojmë se Egnatia është përfaqësuar në elitë për herë të parë e fundit në sezonin 2004-2005.
STËRVITJA – Seanca e parë do të jetë të hënën me datë 8 janar në ora 14:00. Të gjithë futbollistët që mbyllën gjysmën e parë të kampionatit do të jenë në rresht para stafit drejtues me në krye trajnerin Vladimir Gjonaj. Dje tekniku ka thënë se pas festave të fundvitit e një çlodhje që ka rëndësinë e saj, puna do të nisë shumë seriozisht. Po shihen që tani mundësitë për të spostuar fazën përgatitore speciale të kësaj periudhe dimërore, qoftë edhe për disa ditë, në një vend me kushte e infrastrukturë më të përshtatshme.
AFRIMET – Emrat e rinj që pritet të zbarkojnë në skuadrën rrogozhinase për momentin nuk bëhen publikë. Por duke parë rezultatin pozitiv që dhanë afrimet e vjeshtës së kaluar kur erdhën në ekip katër futbollistë nigerianë, si: sulmuesi Kingsley Osinaki Agbodike dhe tre mesfushorët Henry Okebugu, Bright Friday dhe Beji Anthony, me shumë gjasa tregu i huaj do të preferohet më shumë. Madje, mund të ketë të tjera përforcime nga Nigeria.
LARGIMET – Pavarësisht preferencave për njërin apo tjetrin lojtar do të ketë largime që kushtëzohen për të mbajtur në skuadër futbollistë që do të mund t’i kenë të plota shanset e aktivizimit. Do të hiqet kështu dorë nga ideja e mbajtjes në ekip të atyre lojtarëve që janë konsideruar “rezerva të përjetshme”. Një vendim kolegjial do të marrë stafi teknik në ditët e para të javës së ardhshme.