Gentian Mezani ka komentuar ecurinë e deritanishme të ekipeve që po garojnë mes tyre për t’ju larguar zonës së ftohtë të “Abissnet Superiores”. Trajneri shqiptar ka dhënë një prononcim për emisionin “Sport Magazine”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, ku shprehet se fitorja e sotme ishte një hap i madh i Kastriotit. Në krahun tjetër, sipas tij, Dinamos i ka munguar karakteri këtë sezon.
“Ka qenë një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Mendoj që Kastrioti ka bërë një hap shumë të madh drejt shpëtimit nga kategoria, edhe pse ka akoma disa ndeshje. Dinamo ka bërë një hap fals, ku kishte mundësinë shumë të mirë për të marrë një 3 pikësh dhe për të shkurtuar diferencat midis këtyre skuadrave. Kjo e vendos akoma edhe më në vështirësi, por jo jashtë objektivit matematikisht.
Edhe Teuta, nëse nuk do të jetë e kujdeshme ndeshjen e radhës, mendoj që do e komplikojë edhe më shumë veten e vetë. Por unë mendoj që Teuta ka treguar diçka më tepër se sa skuadra e Dinamos në këtë kampionat. Ka pasur oshilacione, sigurisht, por ka treguar më tepër karakter se sa kjo Dinamo. Më vjen keq, sepse Dinamo u ndërtua fillimisht si një skaudër për të qenë në krye të klasifikimit, por tani e shikojmë në një situatë të vështirë.
Pak a shumë skuadrat kanë treguar pozicionin që meritojnë në këto momente. Disi një hap para shikoj Egnatian, sespe shikoj që po reagojnë më tepër lojtarët. Kanë më shumë kërkesë llogarie ndaj vetes lojtarët. Po tregojnë pak më shumë karakter“, ka deklaruar Gentian Mezani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/