Ish-mesfushori i kombëtares gjermane ka dalë me një propozim radikal për t’i vënë fre dominimit absolut të Bajernit
Shtefan Efenberg sa sugjeruar një reformë rrënjësore të formulës aktuale të kampionatit gjerman. Sipas 49-vjeçarit duhet që pas ndeshjeve të fazës së parë të kampionatit tabela të ndahet në dy grupe me nga 8 ekipe, ku 8 ekipet e para të tabelës do të luftojnë për titullin dhe vendet në kompeticionet evropiane, ndërsa 8 ekipet e fundit do të luftojnë për të qëndruar në Bundesligë. Reforma e Efenberg nuk përfundon vetëm me këtë ndryshim, por ai ka propozuar dhe një ide të padëgjuar më parë.
Efenberg mendon se pikët e grupeve duhet të zerohen plotësisht në mënyrë që të rihapet rivaliteti në kampionat gjerman që momentalisht është nën dominimin absolut të Bajernit, që po shkon i qetë drejt titullit të gjashtë rresht.
“Bajerni ka arritur të ketë një diferencë prej 18 pikësh që në fillim të shkurtit, dhe të mendosh sesa keq e filluan kampionatin nën drejtimin e Ançelotit. Me shumë mundësi Bajerni do të shpallet kampion në fund të marsit ose në fillim të prillit. Formula ime e parandalon këtë vrasje të parakohshme të garës. Bundesliga do të ketë një garë më të fortë për titullin dhe do të jetë më interesante për tu parë shikuesit në mbarë botën, gjë që rrjedhimisht do të shkaktojë një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga të drejtat televizive” – tha Efenberg, duke hapur një debat të madh në futbollin gjerman.