Nuk ka qetësi te Luftëtari. Problemet financiare kanë prishur atmosferën, ashtu sikurse edhe rezultatet jo të mira. Shumë prej lojtarëve pritet të largohen nëse klubi nuk u shlyen detyrimet financiare, ndaj edhe duhet reagim i menjëhershëm. Në këto kushte mjafton një fjalë goje për të sjellë situata të pakëndshme.
Së fundmi ka pasur edhe një largim nga stafi teknik. Franko Paskualeti ndoshta e ka mbyllur aventurën e tij në Shqipëri. Mezani e kishte kërkuar në stafin e tij italianin, me të cilin ka pasur një njohje të vjetër. Nga ajo që mëson “SportEkspres.com”, arsyeja e largimit të Paskualetit lidhet me arsye familjare dhe pritet të kthehet pas pak javësh, por në situatën ku ndodhet Luftëtari, pas pak javësh pakkush mund të mbetet në Gjirokastër.
Seria e largimeve te Luftëtari ka nisur dhe kurioziteti më i madh lidhet me lojtarët, pasi drejtpërdrejt ndikojnë në cilësinë e skuadrës për pjesën e dytë të sezonin. Deri më tani Lejdi Liçaj e ka shënuar emrin në listën e lojtarëve që do të lënë bluzinjtë, pasi vlonjati nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën.
E SHKUARA E PASKUALETIT – Italiani ka një eksperiencë të gjatë në punën me të rinjtë, si dhe ka qenë ndihmëstrajner në disa ekipe, ndër të të tjera me Chennaiyin FC në Indi, si ndihmës i ish-kampionit të botës, Marko Materaci. Paskualeti ka qenë analist i paraqitjes së futbollistëve në krah të ish-mbrojtësit të Interit dhe Italisë, ndërkohë që për disa muaj bashkëpunoi me Mezanin edhe te Laçi.