Për fatin e mirë, në fillimin e këtij sezoni të ri në Superiore është aplikuar për herë të parë edhe VAR. Falë kësaj teknologjie të fundit kemi mundësinë e artë për të parë në lëvizje më të ngadalësuara edhe momentet e dyshimta që mund të vendosin fatin e një ndeshje.
Këtë herë do të diskutojmë për më shumë sesa një episod, por për një rast flagrant të minutës së 90, që nuk lë më tepër kohë për të ndryshuar rezultatin, pasi arbitri është gati për vërshëllimën e trefishtë.
Deri para një jave gjithçka ishte në ujëra të qeta, përfaqësues të FSHF, Erion Veliaj dhe përfaqësues të Bashkisë, të Policisë, janë takuar me eksponent të lartë të UEFA-s sa i përket organizimit të finales së Conference League.
Nuk kaluan shumë orë dhe nisi menjëherë vërshimi i Erion Veliajt karshi futbollit, për të vendosur për garën e presidentit të FSHF. Në fakt, Veliaj e kishte menduar edhe sesi t’i kthente përgjigje pyetjes se përse po hynte me politikën në këtë garë.
“Jo, unë vij këtu si një aksioner i Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë që fuqinë e aksionerit e përdor vetëm për përfitime, pasi kur klubi ndodhet në borxhe, në ato momente “zhduket” nga funksioni. Gjithsesi, në audio-përgjimin e treguar nga FSHF, Veliaj shprehet qartë me zë: “Pasi të pushtojmë Tiranën, do të ikim që të pushtojmë gjithë Shqipërinë”.
Pra nga aksioneri i Tiranës, Veliaj përfundon në në aksionerin e Laçit, në aksionerin e Durrësit, në aksionerin e Korçës, të Vlorës etj etj. Ndërkohë në mbrëmjen e djeshme edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli se kjo betejë ishte vetëm mes Veliajt dhe Dukës, duke thënë se Qeveria e tij nuk përfshihej në këtë problem.
Po atëherë, çfarë kërkonin Niko Peleshi dhe Sotiraq Filo në Korçë? Po atëherë, çfarë kërkonte Mirela Kumbaro në Gjirokastër? Po atëherë, çfarë po ndodhte në Shkodër? A përfaqësojnë të gjithë këta kryeqytetin dhe janë që të gjithë aksionerë të klubit Tirana?
Ndërkohë për zgjedhjet në Tiranë, Veliaj i kërkoi me ngulm anëtarëve dhe komunitetit të futbollit që të bëheshin bllok të gjithë në mbështetje të Prodanit. “Shkova me mendimin se 20 ishin të mitë, por Federata kishte futur 40 të tjerë. Nëse do të ishin 40 të mitë aty, Federata do të kishte futur 80 të tjerë”, tha Prodani në “Skaner” duke kërkuar që të denoncojë manipulimin e votave.
Pra le të themi se denoncimi i manipulimit të votave bëhet nga Prodani që nga ana tjetër ka fuqinë për të ditur rezultatin e disa anëtarëve të futbollit, kur zgjedhjet nuk janë bërë ende. Si është e mundur që të parashikohen rezultatet në favorin tënd, kur anëtarët e Shoqatës nuk janë shprehur ende?
Le të themi se me pamje të ngadalësuara, VAR tregon qartësisht se në këtë pretendim për faull dhe penallti të Veliajt, në mënyrë që të marrë vet topin dhe penalltinë ta gjuajë vetë, në fakt është një faull i pastër në favor të… futbollit. /Sport Ekspres/