EDITORIAL/ Tomori sot në ditëlindjen e 97-të, futbolli në Berat ka histori shekullore

Nga Agron Kaja

Ndoshta ditëlindjet në këtë kohë pandemie do të duken si të tepërta të kujtohen, por nëse kujton një 97-vjeçar si Tomori i Beratit, duket që edhe pandemia është “goditur” në gati një shekull histori me ndeshje të shumta në fusha e stadiume. Kudo ku fjala “futboll” është endur në Beratin 2420 vjeçar, Tomorin e ka patur idhullin e vetëm, edhe atëherë kur sistemi i kaluar ia ktheu emrin në “Puna Berat” (1952-1957).

Nëse një rrugëtim i tillë duhet treguar sot, zyrtarisht për Tomorin ai nis nga 25 Nëntori i vitit 1923. Në atë muaj të veçantë edhe për shqiptarët ndër shekuj, ku disa djem intelektualë beratas sfiduan vuajtjet e kohës dhe u organizuan në një shoqëri sportive-artistike të quajtur “Tomori”. Por jo zyrtarisht, kjo histori në Berat ka nisur të shkruhet në vitin 1913 ku disa djem beratas sollën topa futboll në qytet  dhe u mësuan shokëve e miqve të tyre rregullat e kësaj loje magjike. Kjo ishte nisma e parë dhe kështu do të vraponte historia deri më 25 nëntor të vitit 1923 që mbetet edhe dita e themelimit të FK Tomori, ndërsa dy muaj pas krijimit u zhvillua e para ndeshje miqësore, kundër Tiranës (Shkurt 1924), e cila u mbyll në barazimin 2-2.

Me krijimin e FSHF-së (viti 1930), Tomori e nisi rrugëtimin e tij zyrtar në futboll në Kategorinë e Dytë, ku edhe është skuadra e parë kampione në këtë kategori për futbollin shqiptar. Deri në vitin 1944 beratasit “lundruan” mes Kategorisë së Dytë dhe Kategorisë së Parë, ndërsa periudha pas çlirimit e deri më sot ka patur ulje e ngjitje, por edhe kulme. Në vitin 1964 është finalist në Kupën e Shqipërisë (Partizani-Tomori 3-0), ndërsa në sezonin 1999-2000 shpallet nënkampion në Kategorinë e Parë (sot Kategoria Superiore). Ndeshja u luajt në Elbasan dhe koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, por me penallti 5-4 Tirana u shpall kampione në atë sezon.

Në këto 97 vite futboll në Berat, janë me qindra ata futbollistë, trajnerë, tifozë e gazetarë sportivë, të cilët kanë shënuar emrat e tyre në këtë rrugëtim shekullor. Janë të gjithë këta faktorë që kanë futur në bagazhet historikë të këtij klubi gjithçka që e bën krenar, me gjithë ulje e ngritjet në kampionate, në kupa e veprimtari ndërkombëtare. Për statistikë, në historinë e tij 97 vjeçare Tomori regjistron 44 pjesëmarrje në Kategorinë Superiore, 36 pjesëmarrje në Kategorinë e Parë, 4 në Kategorinë e Dytë dhe 64 pjesëmarrje në Kupën e Shqipërisë.

Nëse në këtë histori do të përmendeshin të gjithë emrat që e kanë shkruar këtë histori, Përparim Kovaçi mbetet Legjenda e gjallë. Por disa prej tyre janë futur në këtë histori edhe si pjesëtarë në dy ekipet “kundërshtare” që Tomorit ende i mbeten në kujtesë. Në ekipin e parë për periudhën 1930-1975 veçohen Valentin Karaja në portë, Sabri Dyli, Stavri Janinoti, Astrit Ziu dhe Robert Alabaku në mbrojtje; Spiro Valle, Ajet Hoxha, Pirro Xheblati dhe Andon Zaho në mesfushë dhe Novruz  Hodo me Fatbardh Buzin në sulm, të drejtuar nga trajnerët Sabri Behri e Thanas Jançe. Ndërsa ekipin historik për periudhë 1976-2020 e përbëjnë emra më të njohur në futbollin shqiptar dhe atë kombëtar, duke nisur me portierin Madrit Muxhai; mbrojtësit Roland Halili, Petrit Çilingiri, Robert Kokalari e Ylli Karkanjozi; mesfushorët Arben Arbri, Kristaq Mile dhe Agim Matrapazi, për tu mbyllur me një treshe sulmuese “magjike”, tre goleadorët shqiptarë: Përparim Kovaçi, Kliton Bozgo e Klodian Arbëri. Të gjithë këta janë drejtuar nga tre trajnerë: Guxim Mukli, Andrea Xheblati e Kristaq Mile.

Por sot në këtë 97 vjetor, futbolli beratas ka të “fshehur në magazinën” e tij gjithçka që e bëjnë këtë rrugëtim edhe më interesant dhe urimi tradicional shqiptar shkon në shprehjen: Gëzuar ditëlindjen e 97- të Tomor!

FK Tomori Berat

Themelimi: 25 Nëntor 1923

Bashkëthemelues: Kryetar: Zyhdi Doko, Sekretar: Shyqyri Lakra, anëtarë: Lilo Xhimitiku, Andon Myzeqari, Vangjel Haxhistasa, Alqiviadhi Shyti, Nizam Orizaj,  Enis Ruli……

Stadiumi në momentin e themelimit: “Milet Bahçe” (Stadiumi i vjetër)

Kapaciteti: Me 3.500 vende

Uniforma tradicionale: Jeshile me të bardhë

Tomori Kampion i Kategorise se Dyte, viti 1930

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online