Edicioni i katërt i FSHF Sunday League zbulon ekipet dhe grupet, protagonistët: “Na bashkon pasioni për futbollin”

Departamenti i Futbollit Amator në FSHF hodhi shortin për edicionin e katërt të Kampionatit Kombëtar të futbollit “Sunday League Albania”, i njohur ndryshe edhe si kampionati 9×9 që do të nisë rrugëtimin e ri së shpejti. Shorti i hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u drejtua nga Drejtuesi i Departamentit të Futbollit Amator, Jurgen Demneri dhe specialistët, Eghi Xhaxha dhe Igli Mumajesi. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat, të cilët kanë mësuar nga goglat, kundërshtarët që do të kenë përballë gjatë këtij edicioni.

Në këtë edicion të katërt të kampionatit 9×9 në Tiranë do të marrin pjesë 36 skuadra, të ndara në dy grupe, A dhe B, ku secili grup do të ketë në përbërjen e tij nga 18 ekipe. Ndeshjet do të përcaktohen me një sfidë teke dhe jo me sistem vajtje-ardhje, ndërsa më pas do të vijohet edhe me fazën play-off. Në grupin A do të bëjnë pjesë këto ekipe: Roamel, Prestige, Vila L, JUAR, Antigonean, Pastaria, Dussel, MD, Panthers, Passion, Jata Market, Futura Dent, KKD, Albamer, North Gate, CCBS, Ferraj, BTL Në grupin B do të bëjnë pjesë këto ekipe: Dajti, ALAR, NOVA, Oktapus, Primo, Friends Team, ATS, Tirona Rep., ELSO, IMMI, Hidro Alfa, Homeland, Enco Al, Confucius, Kastriotët, Eco Empire, Barrikada, Raiffeisen Bank.

Sakaq, regjistrimet e lojtarëve do të mbyllen më 10 shtator. Në ditët në vijim do të hidhet edhe shorti për kampionatin e futbollit 9×9 në zonën e Korçës, si dhe shorti për kampionatin e futbollit amator 5×5. Pas shortit, dy nga përfaqësuesit e ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat, në një prononcim për fshf.org u shprehën të lumtur që një kampionat i tillë organizohet, duke i bashkuar dhe duke luajtur në një formë më të strukturuar. Duke marrë pjesë në kampionatin FSHF Sunday League, ata shprehen se ndjekin jo vetëm pasionin, por edhe largohen nga streset e përditshme.

“Jemi një ekip i ri, një ekip i krijuar mes shokësh nga qyteti i Shkodrës. Hera e parë për ne që marrim pjesë në një kompeticion të tillë. Shpresojmë që të argëtohemi, ky është qëllimi ynë. Çdo dy herë në javë ne do të stërvitemi në Shkodër dhe çdo fundjavë do të luajmë ndeshjet tona në Tiranë. Pasioni është i madh për këtë lojë të bukur që është futbolli dhe të paktën të merremi me një aktivitet sportiv për të mbajtur trupin në formë” – shprehet një nga përfaqësuesit e ekipit pjesëmarrës.

“Jam përfaqësuesi i ekipit Elso Team, jemi një skuadër e formuar në vitin 2019 kur kemi marrë pjesë për herë të parë në Sunday League Albania. Luanim si amatorë dhe ishte gjë e mirë që ky kampionat na bashkoi. Për ne është e rëndësishme të ndjekim pasionin tonë te pjesa e futbollit, por edhe të ikim pak nga streset e ditës së punës. Këtë vit, si risi kemi edhe lojtarët e rinj. Kemi edhe një përfaqësues që është 55 vjeç, portieri i ekipit. Mesazhi im është që të ndjekim pasionin, të luajmë të qetë në këtë kampionat dhe  të bëjmë sa më shumë miq. ‘Armiqësinë’ ta kemi vetëm në fushë, sporti mbi të gjitha” – thotë përfaqësuesi i ekipit Elso për fshf.org.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *