Mesfushori është transferuar në Antalia dhe përforcon mesfushën. Sfida e madhe e tij, të rikthehet në nivelet e para pak viteve dhe të bëjë tifozët ta respektojnë
Është Emiljano Vila përforcimi surprizë i Skënderbeut, që ka kënaqur kështu një nga kërkesat e trajnerit Ilir Daja këtë janar. Një përforcim i papritur, por Skënderbeu e ka treguar edhe më parë se i shfrytëzon mirë okazionet që dalin në merkato, kujtoni rastin e Afrim Takut. Mesfushori i djathtë la lënë Partizanin për të provuar për herë të parë në karrierë fanellën e Skënderbeut dhe për të provuar të fitojë titullin e dytë në karrierë, pas atij me Dinamon në vitin 2010.
LARGIMI I HESHTUR Partizani e largoi si të panevojshëm, pa asnjë njoftim zyrtar për mediat dhe pa asnjë shpjegim. Vila nuk ishte i adhuruari i tifozerisë dhe me siguri pakkush u mërzit për largimin e tij, por kontributin e tij e ka dhënë gjithnjë dhe nuk ishte ai fajtori i vetëm për krizën e këtij sezoni te Partizani. Nuk bëri zë, të paktën këtë virtyt duhet t’ia njohin të gjithë, sepse te Partizani është një ndër ata që nuk është përfolur kurrë si problematik. Edhe pas largimit nuk foli, pavarësisht se mund të kishte shumë për të thënë. Priti në heshtje që të gjente një ekip të ri, rasti i erdhi dhe tashmë Vila është i Skënderbeut.
DJE NË ANTALIA Bisedimet e ditëve të fundit përparuan me shpejtësi dhe marrëveshja u gjet me lehtësi: Vila është i Skënderbeut. Firma dhe prezantimi janë lënë për sot, por Vila u paraqit që dje në Antalia, ndoqi ndeshjen kundër Beshiktashit dhe kreu vrapime të lehta. Ndoshta do të debutojë që në miqësoren e radhës. Një armë më shumë për Dajën, mbi të gjitha për faktin se po bëhet shqetësuese mungesa e tejzgjatur e Takut, i cili ka ngecur në Amerikë. Mesfusha është e mbushur me emra cilësorë dhe ndoshta në këtë moment Vila nuk konsiderohet titullar në mendjen e Dajës, por ashtu e nisi edhe Muzaka dhe ja ku është…
FTOHTËSIA E TIFOZËVE Në Korçë nuk është se lajmi i transferimit të Vilës te Skënderbeu ka ngjallur ndonjë entuziazëm të madh. OK, është lojtar me eksperiencë të madhe, ka luajtur shumë ndeshje me kombëtaren, di të fitojë edhe trofe, por… te Skënderbeu ka shumë të tillë. Tifozët e Skënderbeut ndoshta shohin një armik, një “ish” të Partizanit, por ndoshta edhe e teprojnë pak. Fundja, edhe me Muzakën u tallën, e konsideruan të mbaruar, por u penduan. Sfida e Vilës është pikrëisht kjo, t’i bëjë tifozët t’i kërkojnë falje. Fundja, është vetëm 29 vjeç, nuk është në fund të karrierës!