“Edhe Tirana, Vllaznia dhe Partizani janë si ne”, Gvozdenoviçi  nuk dorëzohet: Do luftojmë fort deri në fund për vendin e 4-t

Është mbyllur me befasi ndeshja e sotme në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Laçit. Shkodranët gjetën të parët rrugën e rrjetës, falë një autogoli të shënuar nga Kurti në minutën e 18 të takimit. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e kuqebluve, por e dyta foli për kurbinasit. Tresa riktheu përkohësisht baraspeshën në minutën e 57, ndërsa në minutën e 83-të ishte Ujka ai që e dërgoi topin në rrjetë nga goditja e dënimit. Vllaznia tashmë mbetet në kuotën e 51 pikëve, duke rrezikuar vendin e dytë nga Partizani. Në krahun tjetër Teuta i mohon vendin e 4-t Skënderbeut. Ndeshja u vendos në minutën e 75, kur Gjini i dha fitoren durrsakëve. Teuta fitoi minimalisht 0-1 në Korçë dhe sheh “final four”-in 6 pikë larg, por aq sa zona e ftohtë. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Jo vetëm Skënderbeu, edhe Vllaznia, Partizani, Tirana. Të gjitha skuadrat janë si ne (të paqendrueshme ne rezultate). Ndoshta sepse kampionati është i fortë dhe është shumë e vështirë të fitosh 3-4 ndeshje radhazi. Kjo është një arsye. Mund të punojmë edhe pak më mirë. Varet edhe nga stafi. Teuta është shumë e fortë në ajër. Ideja ishte se do të luftonim në ajër. Sot nuk ishte një ndeshje e bukur. Ishte një ndeshje shumë e fortë për topin e dytë. Donim të ndalnim Teutën në ajër. Rashica ishte dy ditë me temperaturë, kjo është arsyeja pse ishte në pankinë. Teuta ishte shumë agresive sot. Nuk kishte shumë lojë efektive. Shumë topa të gjatë, shumë kontakte, shumë ndalime loje. Nuk kapëm ritmin dhe nuk treguam lojë të bukur sot. Ne do luftojmë. Këtu jemi afër, edhe për sipër, edhe për poshtë. Kampionati është i vështirë. Të shohim si do të dalë, por do të luftojmë fort deri në fund”.

Cungu (Laçi): “Ishte një tre pikësh me shumë vlera. Vazhdojmë të kemi nevojë për pikë. Pas ngritjes së ekipit me ljë dhe rezutlate duhet të tregonim se nuk ishim rastësisht në këto nivele. Duhej një stabilitet, të cilën e bëmë. Bluza me stemën e Shkodrës? E vesh shpesh. Ku më mirë mund ta demonstroja këtë dashuri për Shkodrën se sa në Shkodër. Mendoj që Ujka po bën disa ndeshje rresht të mira. Është një lojtar që ka kualitet, ka futboll. Është një lojtar që di të interpretojë mirë edhe skemat e lojës. Jam i kënaqur. Por pretendoj shumë më tepër. Ka potencial për të ndihmuar jo vetëm veten, por edhe skuadrë. Po ashtu edhe Sobovale. Nuk është një 100%-shin e tij, por kanë mbetur edhe 5 javë dhe presim kontributin maksimal të tij dhe të gjithë lojtarëve të tjerë. Kërkohet tre-pikëshi, sepse me një pikë nuk shkohet askund”.

Martini (Teuta): “Më gëzon jashtë mase kjo fitore. Duke pasur parasysh situatën ku jemi, edhe në humbjen e penalltisë po më dukej ‘’deja vu” e disa ndeshjeve më para. Skënderbeu në fund na erdhi dy herë te porta, por mendoj që kemi luajtur një ndeshje të mirë. Këto janë ndeshje që presioni është i madh. Peposhi humbi penalltinë radhën e parë, prandaj vendosëm për Krujën, i cili ka më shumë përvojë. Por edhe ai gaboi. E kishim planifikuar ndryshe. Prisnim një Skënderbe që të luante me 4-3-3. Djemtë i bënë mirë ato që i kërkova. Skënderbeu nuk ka pasur asnjë rast përveç asaj goditjeje standarte dhe një goditjeje nga larg. Më vjen mirë që nuk barazuan, pasi do të ishte një shok psikologjik për të gjithë skuadrën.“ /Halit Delibashi-Sport Ekspres/