Vushtrria ka bërë disa lëvizje sot, teksa ka zyrtarizuar tre afrime dhe një rinovim. Bajram Zuqaku është ai që ka pranuar të vazhdojë rrugëtimin me klubin e rikthyer në Ipko Superliga e Kosovës. Prurja tjetër është Ledion Muçaj, i cili me përfundimin e kampionatit u largua nga Ballkani.
Mesfushori qendror ka luajtur edhe në Superiore me Besën, Bylisin e Apoloninë. Vushtrria është klubi i tretë në Kosovë për të, pasi më parë ka veshur edhe fanellën e Gjilanit. Te Vushtrria ka firmosur edhe i riu Klevis Lushaku. I dalë nga moshat e Teutës, qendërmbrojtësi ka vendosur që eksperiencën e parë si profesionist ta ketë me klubin dardan.
GODITJA – Vushtrria ka befasuar, duke bindur sulmuesin Jasmin Raboshta të nënshkruajë me ta. Shkodrani kishte një ofertë nga Besëlidhja, por ka preferuar ta vazhdojë karrierën në Kosovë. Sulmuesi sezonin e fundit u aktivizua në Turqi.
“Jasmin Raboshta, 29-vjeçar nga Shkodra, i dalë nga akademia e klubit të futbollit Vllaznia nga Shkodra, dhe pjesë e shumë skuadrave Shqiptare, siç janë KF Elbasani (2 vite), KF Luftëtari (2 vite), KF Butrinti (2 vite), dhe KF Kastrioti (1 vit). Sulmuesi shkodran dy vitet e fundit ishte pjesë e futbollit Turk, me 1960 Silopi dhe Siirt Idare.
Rraboshta për faqen tonë deklaroi: “futbolli kosovar ka filluar të bëhet shumë cilësor dhe interesant, sidomos vitin e fundit. Kështu që vlerësoj se jam i gatshëm të sfidoj veten për një aventurë të re në Superligën e Kosovës”.