Futbolli shqiptar do të zhvendoset sërish në fushë në fillim të qershorit, ndërsa klubet kanë nisru nga përgatitja që ditën e djeshme. Por kampionati nuk gjen si protagonist vetëm futbollistët, pasi një element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e takimit është edhe arbitri. Dashuria për futbollin është e njëjtë edhe për këta të fundit, të cilët po ashtu si lojtarët e kanë ndjerë mungesën e fushës së blertë dhe të ndeshjeve.
Këtë e konfirmon edhe një nga gjyqtarët më të mirë të Superiores, Enea Jorgji, i cili në një intervistë për “Televizioni Skampa” ka treguar për tepër mbi këtë situatë të krijuar dhe rifillimin e sezonit. Jorgji shprehet se e ka ndjerë mungesën e futbollit përgjatë kësaj kohe, ndërsa shkëmben edhe batuta interesante, teksa thotë se ndjen mall edhe për protestat e lojtarëve. Gjithashtu sipas tij nuk do të jetë apak bukur pa tifozët, pasi janë këta të fundit që përcjellin emocionet gjatë ndeshjeve. Në lidhje me ekipin e zemrës, Jorgji tregohet diplomatik, pasi nuk zbulon një emër por thotë se është tifoz me skuadrën e arbitrave në Shqipëri.
“Futbolli përfshin masë të gjerë të njerëzve që e mbështesin dhe përkrahin e janë pjesë e tij. Kështu që reflektimi ka qenë i dukshëm. Mungesa e tij ka bërë që njerëzit të ndihen bosh. Sic e thashë ka shumë njerëz që marrin pjesë në një kampionat futbolli dhe dashje pa dashje impakti i ndeshjeve të paluajtura është i madh. FSHF-ja ka qenë në diskutime të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë. Që nga dje kanë nisur stërvitjet në grup dhe kjo do të bëjë të mundur një stërvitshmëri më normale dhe do i krijojë kushte lojtarëve për t’u përgatitur sa më normal dhe të jenë gati për rifillimin. Një rifillim që thuhet në datë 3 qershor, është vendosur me 90%. Kështu që në pak ditë, më pak se 10 të tilla, do të shohim ndeshje të kampionatit shqiptar.
Arbitrat më të sigurt nga pandemia në fushë? Rreziku besoj është i njëjtë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.Ndoshta arbitra janë vetëm 4 në fushë, ndërsa lojtarë janë më tepër, por që detyra dhe marrëdhënia që kanë arbitrat me lojtarët dhe zyrtarët i bën që të jenë afër tyre. Kështu që nuk ka ndonjë ndryshim më të madh. Kemi distancë më të madhe se të tjerët, por që kontaktet janë po aty, sepse ne do detyrohemi të bëjmë punën tonë. Lojtarët dyluftojnë, dinamika e lojës është e vazhdueshme, lëvizjet janë shpesh herë janë të pakontrolluara për ti paraprirë. Nuk do protestojnë më pranë nesh lojtarët? Ndoshta, uroj të jetë një favor, por nuk besoj ta shfrytëzojmë në këtë drejtim. Edhe ajo protesta ka atë emocionin e saj që sjell brenda një loje. Na ka marrë malli, me zor po i presim.
Referuar situatës së kaluar nuk mund të them se koha në dispozicion është më e mira, por mund të them se është e mjaftueshme për t’u stërvitur dhe për të arritur një farë niveli të përgatitjes fizike, teknike apo mentale për të përballuar javët e mbetura. Tifozët janë bukuria në shkallët e stadiumit, bukuria e atij emocioni kur bëhet një gol, anullohet një gol, kur bëhet një penallti. Janë ata që sjellin brohorimat, sjellin ovacionin. Kështu që do jetë një ambient apatik pa zërat e tyre, por të detyruar do e pranojmë këtë fakt.
Për kë bëj tifoz? E kam një skuadër në fakt, që është skuadra e arbitrave. Jam tifoz i Milanit”, ka thënë Enea Jorgji./Halit Delibashi-Sport Ekspres/