Erjon Bogdani ka dhënë një intervistë për “Breaking Top News“, ku patjetër që tema e diskutimit ka qenë Kombëtarja shqiptare dhe ajo sfidë aq vendimtare që do të luhet mbrëmjen e sotme. Ish-sulmuesi kuqezi e sheh të përmbushur objektivin e ekipit tonë kombëtar dhe sot luhet për një ëndërr të paprekur më parë. Sa i përket formës fantastike të Brojës, Bogdani ndihet i lumtur për këtë fakt dhe e mirëpret thyerjen e rekordit të tij si golashënues i Shqipërisë nga talenti 20-vjeçar.
“Është shumë e rëndësishme edhe për vetë lojtarët. Për mendimin tim stadiumi plot tregon që kjo skuadër ka luajtur dhe ka marrë rezultate shumë të mira në këto eliminatore. Deri tani jemi në rrugën e duhur, sepse faktikisht e kemi përmbushur objektivin tonë. Objektivi jonë përpara se të shikonim shortin nga përbërja që kanë ekipet në vend të parë vendosnim Anglinë dhe në vend të dytë Poloninë. Megjithatë ne po vijnë në 3 ndeshje para fundit dhe jemi 1 pikë më shumë se Polonia. Nuk diskutohet që jo vetëm lojtarët, trajner, por edhe trajneri ëndërrojnë vendin e dytë, sespe i kemi mundësitë. Mendoj që kjo ndeshje është shumë e fortë. Me një ekip që ka një Levandovski, që për mendimin tim është lojtari më i mirë në botë. Është një bomber, sepse çdo vit po shënon shumë gola. Në këtë ndeshje ekipi kombëtar do vijë me entuziasëm. Faktikisht ne nuk kemi çfarë të humbim, kemi vetëm mundësi për të ëndërruar.
Është e vështirë ta krahasosh. Për mendimin tim edhe Kombëtarja që shkoi në Europian kishte një grup shumë të vështirë, ku mos të harrojmë se ishte Serbia, ishte Danimarka dhe faktikisht ekipe me shumë emër dhe me lojtarë shumë të mirë. Edhe ky grupi i tanishëm është shumë i fortë. Vendi i parë ishte Anglia, pastaj nuk diskutohet që ekipi tjetër ishte Polonia. Ne duhet të krenohemi me ekipin kombëtar, seppse i ka përmbushur objektivat e veta. Objektivi i tyre ishte të paraqiteshim sa më mirë ndaj Hungarisë. Nuk është pak ti marrësh 6 pikë Hungarisë. Për ne sot do jetë vetëm një sukses. Flas si tifoz, shpresoj që këta djem të bëjnë edhe një sforco tjetër duke na dhuruar një fitore tjetër, që do jetë shumë e bukur jo vetëm për lojtarët por për gjithë Shqipërinë. Do na dhurojnë një ëndërr që ne nuk e kemi arritur asnjëherë më para.
A mund ta thyejë Broja rekordin tim? Pa diskutim, Broja është lojtar i ri me shumë perspektiv. Lojtar që është në rrugën e duhur. Vjen nga një moment shumë fantastik, sepse në 3 ndeshjet e fundit ka shënuar 3 gola. Dy golat e fundit janë me vlerë shumë të madhe si për atë si lojtar dhe për ekipin kombëtar. Janë gola pezant. Është lojtar që ka cilësi shumë të mira. Po të vazhdojë në këtë mënyrë do ta shikojmë në një klub të madh në Europë duke shënuar gola por duke ndihmuar edhe ekipin kombëtar. Shpresoj një fitore 1-0 me një gol të Brojës. Jam i hapur për rekordin sepse sa më shumë gola të shënojnë sulmuesit e ekipit kombëtar, aq më të lumtur do jemi ne si tifozë“, ka thënë Erjon Bogdani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/