Vllaznia e ka nisur me fitore vitin 2024 në “Abissnet Superiore”. Kuqebluve u kanë mjaftuar vetëm 54 sekonda për të marrë tre pikët mbrëmjen e sotme. Gruda shfrytëzoi një vertikalizim në zonë që në minutën e parë të takimit dhe mposhti portierin kundërshtar.
Kukësi pati mundësinë të kthente sërish baraspeshën, por Rashiti shpërdoroi rastin. Gjyqtari kryesor i takimit akordoi penallti me anë të VAR-it në minutën e 40, por Rashiti gaboi në goditje, duke e dërguar topin sipër traut të portës. Ndeshja përfundoi me shifrat 1-0 për Vllazninë, e cila mbetet në 4-shen më të mirë të “Abissnet Superiores”. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Osmani (Vllaznia): “E rëndësishme është fitorja, janë tre pikët. Goli që i dhamë në fillim, sikur na ngriti një vetëkënaqësi, që nuk është mirë. Sa i përket defansivës, sot luajtëm mirë. Sidomos në pjesën e dytë. Në pjesën e parë bënim shumë kërcime nga mbrojtja në sulm. Mesfusha nuk ishte shumë aktive. Kukësi e qarkulloi topin më mirë se ne. Nuk e prisja që Kukësi të na mblidhte në 20-30 metra. Jemi në biseda me disa lojtarë. Nuk e di kur do kryhen, por jemi në diskutime”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/