I ardhur vetëm 10 ditë më parë te Roma, por Kumbulla nuk humbet kohë për të treguar aftësitë e tij dhe për të merituar vendin e titullarit. Ndeshjen e parë e pa nga stoli, por mbrëmjen e nesërme gjithçka do të jetë ndryshe për të. Trajneri Fonseka e ka të qartë formacionin anti Juventus dhe e ka zbuluar vetë në konferencën për shtyp.
Në majën e sulmit rikthehet i përhershmi Xheko, ndërsa ndalimin e Ronaldos dhe yjeve të tjerë të Juventusit ia beson talentit shqiptar, Marash Kumbullës. Lojtari 20-vjeçar e ka treguar sezonin e shkuar se mund të përballet me këdo kundërshtar dhe se nuk i trembet emrave të mëdhenj të bardhezinjve. Në periudhën kur ishte pjesë e Veronës ia ka dalë me sukses “të fusë në xhep“ Kristiano Ronaldon e një gjë të tillë do të mundohet ta bëj sërish nesër, por këtë herë me fanellën e Romës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/