Nëse zihen dy vet, fiton një i tretë! Kjo është një nga shprehjet popullore që i përshtatet më së miri situatës së Marash Kumbullës. Mbrojtësi aq i kërkuar nga disa klube europiane ende nuk e ka dhënë fjalën e tij finale. Inter dhe Napoli janë dy skuadrat pretendente për shërbimet e Kumbullës në verë por në horizont shfaqet një tjetër gjahtar që do të rrëmbejë gjahun e tij.
Të mërkurën në takimin Lazio – Verona, Marash Kumbulla nuk takoi vetëm Thomas Strakoshën por edhe atë që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për talentet shqiptarë, Igli Taren. Lajmi bëhet i ditur nga “Il Messaggero”, ku media italian me bindje thotë se ka pasur një takim pas ndeshjes mes mbrojtësit shqiptar dhe drejtorit sportiv. Në këtë mënyrë Tare do të tentojë të mposht një konkurencë të fuqishme me armën e vetme të sigurtë, origjinën e përbashkët me Kumbullën./Sport Ekspres/