Interi u ndal sot në një barazim 1-1 nga Salernitana. Kandreva shtangu zikaltrit me një gol të pabesueshëm në minutat e fundit të takimit dhe i hoqi nga duart tre pikët që deri në atë kohë dukeshin të sigurta. Simone Inzagi ka folur për mikrofonin e “DAZN”-it pas përfundimit të ndeshjes, ku e ka pasur të vështirë të japë një shpjegim për këtë barazim.
“Është e vështirë për mua të flas për futboll sot, por pamë një ekip që luajti një ndeshje të rëndësishme. E meta e madhe ishte mosshënimi i golit të dytë dhe tani po paguajmë që nuk mbyllim dot ndeshjet. Megjithatë, skuadra po bën një përpjekje të çmendur Sot është e vështirë për mua të shpjegoj këtë barazim pas gjithçkaje që kemi krijuar. Ka shumë zhgënjim. Duhet të punojmë edhe më shumë. Nuk mund të fajësoj ekipin për asgjë. Dhe sa i përket golit të Kandrevës, mund të them se në një vit e gjysmë nuk kam parë kurrë një gol të tillë”, ka deklaruar Simone Inzagi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/