E veçantë/ Tre verdiktet e mësuara nga java e 15 e Superiores: Brdariç ndërton “gjermanin” e parë te Vllaznia

0

Ishte derbi i nënshkrimit! Ana e kryeqytetit që doli nga rruga e titullit, më shumë se Partizani-Tirana

Ky derbi i fundit që kemi shijuar shkonte përtej përballjes së ndezur mes rivalëve “të përbetuar”, ku fituesi merr emërtimin si nderi i kryeqytetit. Këtë herë bëhej fjalë për ekipin që do të vazhdonte në garën e titullit kampion, për të ndjekur Vllazninë që po ecën me hapa të frikshëm. E kaluara na ka mësuar se ekipi humbës i derbit të kryeqytetit kërkon shumë javë kampionati që të ringrihet. Aspekti psikologjik ndikon shumë te futbollistët të cilët rigjenerojnë forcat e tyre shumë kohë pas disfatës. Aktualisht Vllaznia gjendet 15 pikë larg Tiranës, për të konfirmuar kështu distancën e largët mes tyre dhe thuajse të paarritshme. Duke llogaritur këtu edhe luhatjet që do të shoqërojnë bardheblutë gjatë këtyre javëve pas goditjes në derbi, mund të thuhet se janë devijuar tërësisht nga rruga e titullit kampion. Vetëm nëse Nevil Dede do të bënte një “mrekulli” për karikimin e lojtarëve në kohë rekord, mund të shpëtohet ky sezon për të shpresuar deri në fund te titulli!

“Pranvera nuk vjen me një lule të brishtë”! Në Fier kishin fatin me vete, por “doktor” Hallaçi e njeh “plagën”

Çfarë po ndodh me Kukësin? Nëse Tirana mund edhe të parashikohej për formën jo të mirë që po kalon, për shkakun e largimeve të shumta në staf, dëmtimeve të rëndësishme dhe urisë “të mbyllur” pas fitores së titullit në sezonin e shkuar, verilindorët po surprizojnë më tepër negativisht. Një fitore e marrë në ndeshjen kundër Apolonisë e cila vinte pas gjashtë ndeshjeve. Pra tre pikët e para që kërkojnë gjashtë javë. Padyshim që këto nuk janë statistika që i rrinë përshtat një ekipi pretendent për titullin kampion. Madje te Apolonia mund të shfryjnë me të drejtë pas ndeshjes, teksa në disa raste fati nuk ishte me ta, pasi kishin mundësinë për të dalë me pikë ndaj Kukësit. Ekipi i Hallaçit tregoi edhe njëherë brishtësinë duke e lejuar veten që të vendoset shumë herë në vështirësi nga kundërshtari, me prapavijën që mund të mbyll më mirë hapësirat. Por ajo që sjell shpresë më tepër te Kukësi është vetë trajneri. Askush nuk ka dyshime se Hallaçin nuk mund ta lidhi vetëm një kontratë me ekipin, por e bën punën me gjithë dashurinë dhe përkushtimin e tij, për ta parë emrin e këtij qyteti në majat më të larta të futbollit shqiptar. Kjo do të ishte e barasvlershme me kontratën më të majme që mund t’i ofrohej një trajneri shqiptar. Në intervistën pas ndeshjes Hallaçi ishte i ndërgjegjshëm fare mirë se “pranvera nuk vjen me një lule”, e sidomos nëse ishte aq e brishtë si ajo në Fier. “Kriza nuk ka kaluar”, fjalët e thëna qartë që prekin plagën te Kukësi, për t’i ndërgjegjësuar lojtarët se duhet të japin gjithçka nga vetja për të mos u goditur edhe njëherë në të njëjtin vend, pasi do të rezultonte fatale. Të paktën jo deri në momentin që plaga të nisi e të mbyllet!

Ardit Hoxhaj! “Gjermani” i ndërtuar nga Brdariç, Vllaznia është e bukura e Superiores

Vllaznia është bukura e kësaj Superiore dhe për këtë nuk ka askush dyshime. Shkodranët luajnë futbollin më të bukur në elitën tonë, duke sjellë gjithmonë emocione për shikuesit. Në javën e fundit djemtë e drejtuar nga Brdariç u rikthyen me fitoret e minutës së fundit që janë më të vuajtura, por njëkohësisht që shijojnë më tepër. Trajneri i ardhur në Shkodër e ka bërë Ardit Hoxhajn më tepër “gjerman”, se ndoshta është edhe vetë. Më herët futbollisti 26-vjeçar ka qenë një lojtar normal që bënte në disa raste diferencën te Flamurtari, një skuadër që ra në Kategorinë e Parë. Për t’u kthyer në futbollistin e momentit në Superiore teksa Hoxhaj shënon 4 gola ndaj ish-ekipit, Skënderbeut, e për t’i shënuar Bylisit në sekondën e fundit të lojës dhe me gjuajtjen e fundit në portë. Pikërisht këto dy aspekte përshkruajnë më së miri mentalitetin e një gjermani të vërtetë. Asnjë mëshirë për kundërshtarin dhe vëmendja maksimale për ta ndëshkuar rivalin në limitet e kohës, kur gjithçka mendohet e mbyllur. Pra më shumë se vetë Brdariç po bëhet shkodran, është Vllaznia që po merr frymën gjermane. E pikërisht për këtë arsye Alban Xhaferi fërkon duart pasi po i plotësohet dëshira e tij e madhe: “Një trajner gjerman për Vllazninë, ia kisha thënë të afërmve të mi që pa ardhur te klubi i futbollit”. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.