E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e 10 e Superiores: Parashikim apo rastësi? “AS-i” i harruar nën mëngë te Partizani

Nga Klaudio Ndreca

Në Shkodër e dinë recetën e titullit kampion, ka 11 yje brenda Vllaznisë!

Në Shkodër e kanë gati recetën për t’u shpallur kampion i Superiores dhe për të rikthyer titullin në qytetin më sportdashës të Shqipërisë. Një filozofi e re u fut në skuadër për ta nisur që me pikën më kryesore: “Largimi i presionit”. Nëse Vllaznia kishte një arsye për gjendjen ku ishte fundosur në këto vite të fundit, përveç pjesës ekonomike të munguar, ishte edhe presioni. Madje në disa raste ka pasur vështirësi edhe për trajnerët që i është rrezikuar jeta, ku situata degradoi me Ernest Gjokën. E gjitha kjo energji negative nuk ka sesi të mos ndikojë te lojtarët që shohin sesi rrezikohet jeta për një humbje apo barazim në 90 minuta. Me afrimin e Alban Xhaferit në ekip, veprimi i parë ishte që në skuadër të bëhej gjithçka për të larguar ndikimin nga faktori i jashtëm. Nga ana tjetër trajneri Brdaric i komunikon gjithmonë lojtarëve këto fjalë: “Futuni në fushë dhe kënaquni. Është vetëm një ndeshje futbolli, mos u mërzisni për asgjë”. Fjalë këto të cilat nuk mund të merren në kontekstin negativ pasi edhe gabimet e kanë një kufi, por për të liruar futbollistët nga e gjithë barra e marrë që ndikon vetëm për keq në fushën e lojës. E për të veçuar më kryesoren: “Vllaznia nuk ka një yll, por 11 yje”. Goli për ekipin shkodran vjen nga cilido lojtarë në fushën e lojës dhe çdo ndeshje ka një hero të ndryshëm te Vllaznia, i fundit ishte Ardit Hoxhaj. Kjo tregon më së miri se Vllaznia nuk ka krijuar varësi dhe nuk do të vuajë përgjatë rrugës në raste dëmtimesh, pasi uria e madhe dhe impenjimi i nivelit maksimal mbush çdo hapësirë të mundshme.

Kukësi i Skënderit! Safet Gjici ndryshon shumë nga vetja, durimi që pret shpërblimin

Jemi në javën e dhjetë të kampionatit shqiptar dhe te Kukësi nuk e kemi ende një dalje publike të presidentit Safet Gjicit që të komentojë punën e trajnerit të verilindorëve, për të thënë qoftë edhe një kritikë të vetme. Ky është një ndryshim shumë i madh edhe në kampin e Kukësit, për t’i lënë gjithçka një trajner që e di sesi shpallesh kampion. Madje Gjici nuk do të reagonte keq as në momente kur Kukësi e nis maloren duke u penguar në ndeshjet e para. Por nëse të Tirana dhe Laçi i dhanë fletën e lamtumirës dhe u shtrënguan duart trajnerëve që kishin rezultuar shumë dinjitoz edhe në Europë, duke u duartrokitur dhe përgëzuar nga të gjithë, te Kukësi vazhdoi që të mos lëkundej besimi. E shpërblimi do të vinte me pesë fitoret radhazi që e konfirmuan edhe njëherë se kjo skuadër është ndërtuar për objektivin e titullit kampion. Një surprizë e pakëndshme në transfertën e Kastriotit dhe një barazim me kampionen e Superiores, Tiranën, ku kishte shumë polemika për një gol të anuluar padrejtësisht. Nëse vazhdohet me këtë marrëdhënie ndryshe të ndërtuar mes Gjicit dhe trajnerit Gega, Kukësi ka mundësinë për t’u rindezur sërish dhe të shkojë përtej pesë fitoreve radhazi që ka arritur së fundmi.

Parashikimi i vërtetë apo i gënjeshtërt? Partizani ka kohën e së vërtetës!

Në gjithë këto takime të fundit te Partizani ka vetëm një problem: “Sulmi”. Të kuqtë ia vështirësojnë së tepërmi punën vetes me konkretizimin e rasteve të tyre, për ta kthyer në mision të pamundur sa i përket dërgimit të topit në rrjetë. Katër ndeshje pa shënuar për të mbërritur te ajo fitore në shifrat 2-0 ndaj Kastriotit.  Golat erdhën në minutat e fundit dhe sipas asaj që tha Kalari, gjithçka ishte në bazën e një parashikimi preciz. Në fillim Kastrioti do të mbrohej i gjithi dhe me kalimin e minutave do të vinte goditja në fund, pasi kundërshtari do të konsumohej fizikisht. Kjo ndodhi edhe para se Partizani të shënonte golat, por lojtarët e të kuqëve nuk arritën që të shfrytëzonin mundësitë e tyre që u krijuan para portës kundërshtare. E papritur shpërthen Tedi Cara si një “AS”, por që ishte harruar nën mëngë. Një gol i shënuar dhe një penallti e fituar, për të vendosur i vetëm gjithë fitoren e Partizanit. Ky shpërthim i Carës pritej kohë më parë, megjithëse pritshmëritë e mëdha nuk u përmbushën. A e parashikuan saktësisht te Partizani shpërthimin e këtij “heroi të heshtur” ndaj Kastriotit apo ishte e gjitha si pjesë e rastësisë? Prova e së vërtetës vjen në këto momente për të parë efikasitetin e sulmit, nëse ka kaluar ngërcin, ndërsa sytë hidhen menjëherë te merkato e janarit me shpresën se në CAS do të fitohet edhe çështja.

Në kohën e gabuar, filozofia e Kastriotit do të ishte varkë shpëtimi në çdo sezon tjetër

Menjëherë sapo nisi kampionati në Superiore ajo që bëri jehonë fillimisht ishte Kastrioti. Këta të fundit i prishën debutimin Dajës te Partizani për t’i marrë fitoren në shifrat 1-0. Trajneri Ndreu do të tregonte edhe filozofinë tërësisht ndryshe që do të ndiqej nga krutanët: “E dimë se në fund është më e vështirë për të marrë pikët, pasi u nevojiten edhe ekipeve të tjera. Për këtë arsye do të japim gjithçka në këto ndeshje të para”. Një llogjikë e drejtë kjo e trajnerit të Kastriotit duke parë sezonet e shkuara teksa gjithmonë ekipet i kanë “qarë” pikët e humbura në përballjet e fundit, duke mos u futur me impenjimin e duhur në javët e para. Por këtë herë është një situatë tërësisht tjetër. Në Superiore gjenden gjashtë ekipe që pretendojnë titullin kampion dhe janë të detyruara për të ndjekur ritmin e njëra-tjetrës në mënyrë të orkestruar. Pra thuajse në asnjë moment nuk do të ketë ulje të vëmendjes nga gjashtë ekipet që pretendojnë titullin kampion nga nëntë që janë kundërshtarët e Kastriotit në këtë kampionat. E përkëthyer ndryshe, kjo filozofi e Ndreut duhet të përshtatet me rivalët direkt që ka Kastrioti për mbijetesë, për të përtej mundësive që zotërojnë, pasi do të jenë pikët e arta për të shpëtuar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online