Nga Klaudio Ndreca
Tashmë mund të quhet e mbyllur dhe është arritur marrëveshja mes Interit dhe PSG-së për shitjen përfundimtare të Mauro Ikardit. Francezët e kanë në planet e tyre këtë sulmues, duke përfunduar me sukses negociatat për transferimin e plotë të argjetinasit.
Marrëveshja është arritur për 50 milionë euro dhe 8 milionë euro që do të jenë bonuset. Por Interi nuk e ka mbyllur me kaq, duke vendosur zgjuarsisht edhe një klauzolë anti-Juventus. Në këto kohë kemi dëgjuar nga ana e mediave të njohura europiane se ka pasur interesim edhe nga kampionët e Italisë për të marrë në skuadër Ikardin.
Por nëse PSG do të marrë një vendim të tillë, për ta shitur sulmuesin në Seria A, atëherë duhet të japë edhe 15 milionë të tjera në arkat e klubit të Interit. Pra në këtë mënyrë zikaltërit sigurohen që Ikardi nuk do të jetë kundër tyre në kampionat dhe në çdo rast do të fërkonin duart mbi marrëveshjen e bërë me PSG-në. /Sport Ekspres/