E veçantë/ “Ranë ëngjëjt e Egbosë, le të mëkatojmë”! Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e 29 e Kategorisë Superiore

Nga Klaudio Ndreca

Ranë ëngjëjt e Tiranës ndaj Teutës, le të mëkatojmë! Kur mësohet pas 17 ndeshjeve që Egbo është…trajner portierësh

Një ditë do të ndodhte, por pyetja që të gjithë shtronin ishte kur dhe kundër kujt? Pikëpyetja u zgjidh edhe për Tiranën e Egbosë, që ra për herë të parë ndaj Teutës. Goli i Emiljano Vilës mjaftoi për t’i dhënë ndëshkimin që deri tani bardheblutë nuk e kishin marrë, duke mos e provuar shijen e humbjes që prej 17 ndeshjeve. Ky nuk është vetëm një numër që shërben për statistikë, pasi mes tyre numëroheshin 16 fitore. Pra ecuria e Egbosë është në kufijtë e të pabesueshmes dhe do të jetë e largët dita që një tjetër trajner ta përsëris. Mes tyre ka pasur edhe shumë ndeshje të fituara edhe me ndihmën e fatit, në minutat e fundit. Por ëngjëjt e Tiranës ranë dhe gjithëkush në një mënyrë apo tjetër, zgjedhë që të mëkatojë. Të kritikosh një humbje pas 16 fitoreve dhe 1 barazimi të marrë në 17 ndeshjet e fundit. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Ndoshta edhe vetë Pep Guardiola dhe Jurgen Klop mund të stepej, pasi dihet fare mirë që futbolli flet me shifra dhe rezultate. Gjithë pjesa tjetër i shërben vetëm medias dhe spektaklit. Pritja e gjatë për të hedhur këmbën keq për herë të parë, solli edhe një “shpërthim”. Pas 17 ndeshjeve në media po del në disa raste që Egbo është vetëm një trajner portierësh. Sa shumë u prit për ta mësuar këtë fakt, që të gjithë e dinë prej vitesh. Por nëse një trajner portierësh mbërrin deri në këtë pikë, atëherë duhet të mendojmë dhe të ngremë dyshime për punën e gjithë teknikëve të parë që janë në Shqipëri.

Kur 8 gola në 90 minuta të duken pak! Sormani nuk pyet as për flamurin e bardhë të ngritur nga “Luftëtari”

Luftëtari do të përballej me furinë e kuqe të tërbuar të Partizanit, që vinte pas disa humbjeve radhazi. Kryeqytetasit ishin duke u përballur me kritikat që vinin nga të katërta anët për dështimet me Sormanin. Të kuqtë ishin të urritur për sukses dhe nuk mund të ndalonin me golat e shënuar. Përballë gjetën Luftëtarin që ishte e pamotivuar dhe e rënë nga Kategoria, ndërsa për më tepër edhe me një karton të kuq të marrë në fundin e pjesës së parë. Partizani nuk po ndalej duke shënuar 8 gola, ndërsa dëshira ishte që numri të bëhej dyshifror, nëse do të ishin treguar edhe pak më tepër të kujdesshëm para portës. Por pavarësisht shifrave, kjo përballje jep vetëm tre pikë. Sormani nuk pyet as kur sheh një “Luftëtar” që ngre flamurin e bardhë, por kërkon që të zbrazë të gjithë ndjenjat e këqija që kishte akumuluar më herët ndaj një kundërshtari që ishte i dorëzuar.

Shehi kërkon të ndez makinën e Kukësit për të shkuar te titulli i Superiore, me shofer Kristal Abazajn

Orges Shehi ka marrë një mision shumë të vështirë dhe përgjegjësi mbi shpatulla, teksa kërkon titullin e Superiores. Pikërisht atë trofe që shumëkush e konsideron si të Tiranës, madje me presidentët e klubeve shqiptare që kanë nisur prej kohësh ta urojnë Halilin. Por kjo është detyra e trajnerit, për t’u mos shpërqendruar nga ambienti dhe këtë mesazh duhet t’ua përcojë edhe lojtarëve. Gabimi i Tiranës e ka ulur diferencën në gjashtë pikë dhe verilindorët kërkojnë realizimin e ëndrrës së tyre, që edhe tani duket e vështirë. Por me një shofer si Kristal Abazajn, makinës së Kukësit mund t’i nxirret më shumë shpejtësi. “Kristal” i pastër për verilindorët teksa në këto finale të fundit po zgjidh ndeshjet i vetëm dhe po kryen detyrën që të tjerët prisnin kur u zyrtarizua te Kukësi.

Jonuz, Dedja! Trajnerët që shkojnë e vijnë në Shkodër, por Vllaznia është pa busull!

Në Shkodër e kanë të lehtë për të veshur fajin në dështimet e skuadrës. Të gjithë faturën e paguan trajneri për tavolinën ku ka persona të tjerë më të rëndësishëm, që duhet të jenë të parët për t’u përgjigjur. Jonuz do t’i merrte maksimumin një skuadre që ashtu si dikur dhe ashtu si tani, ka probleme dhe ka humbur busullën e orientimit. Pavarësisht se edhe në rastin e Jonuz mund të kishte debate në lidhje me zgjedhjet e trajnerit, si në çdo ekip dhe vend tjetër të botës, trajneri i ardhur nga Maqedonia bëri mirë në Shkodër. Tashmë kjo i përket së shkuarës dhe ekipi i është besuar Hysen Dedjas. Një tjetër trajner i respektuar dhe me karrierë të pasur, por që imazhi i tij mund të dëmtohet për shkakun e fajit që të tjerët nuk mbajnë. Prej vitesh te Vllaznia flitet e njëjta temë, ku teknikët shkojnë e vijnë, por Bashkia nuk heq dorë për ta kapur fort skuadrën dhe për të mos e lëshuar atë. Pra një dashuri e dëmshme dhe e njëanshme, që nuk vjen nga pala tjetër. Nëse lojtarët nuk paguhen, nëse nuk ka investime serioze për të ngritur emblemën e ekipit, nëse nuk i besohet akademisë që është më e mira në vend, nëse i falen prodhimet e tua falas të tjerëve. Pyetja që llogjikisht shtrohet: “Ku qëndron përgjegjësia e trajnerit?”. Në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit, ku shkodranët ishin të dënuar për të fituar, barazimi i marrë në rezultatin 2-2 u shijua si një fitore. Kjo jo për fajin e Dedjas që ka mbërritur vetëm pak kohë më parë, por për shkakun se busulla ka humbur. Tifozët e Vllaznisë presin që ta gjejnë sezonin tjetër… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online