E veçantë/ “Ku ishe Skënder Gega…”, ja verdiktet e mësuara nga java e parë e Kategorisë Superiore

Nga Klaudio Ndreca

“Mposhte konkurrencën tënde tani, e bën edhe në ndeshjen e kthimit”! Copa e parë u plotësua për “Puzzle-n e Egbosë”

“Mposhte konkurrencën tënde. Nëse ti e mposht kundërshtarin tënd ditë pas dite, atëherë do ta mposhtësh edhe në ndeshjen e kthimit”. E nisur me shprehjet motivuese që vetë trajneri Egbo i ka përdorur për të ngritur vetbesimin e lojtarëve të Tiranës, ky është përshkrimi ideal për fitoren e Tiranës ndaj Kukësit. Fito me çdo kusht! Pikërisht këtë ka kërkuar edhe tekniku i bardhebluve për ndeshjen e parë të kampionatit, ndaj një rivali direkt për titullin kampion. Egbo e di më së miri se ambienti te Tirana nuk është aspak i lehtë dhe një humbje do të thellonte kritikat e mediave dhe opinionit sportiv, për t’u ndierë së tepërmi në vazhdimin e garës. Nuk ka rëndësi mënyra e shënimit, nëse vjen nga penalltia, goditja e dënimit apo nga një kundërsulm kur të dominon kundërshtari në çdo moment. Ajo që mbahet mend në fund është vetëm rezultati dhe Tirana llogarit një fitore në këtë sezon të ri kundër Kukësit. Kjo nuk është pak, me Egbon që e bëri gjithçka të qartë se janë kampionët e Superiores si ekipi për t’u mundur dhe lojtarët e rinjë duhet të kuptojnë mesazhin qartësisht për rëndësinë e peshës së fanellës. Me besimin fetar të bashkuar me shprehjet motivuese që zënë vend shpeshherë në klubin bardheblu, një “puzzle” i ri do të kërkohet që të plotësohet te kampionët, atje ku është ngjitur edhe copa e parë.

 “Daja e di se nuk mjafton vetëm të kthesh Partizanin, duhet Partizani i Skënder Gegës”

Në momentin që Ilir Daja do të zyrtarizohej si trajneri i ri i Partizanit, gazetarët do të shtronin pyetjet: ‘Në rregull, por cili është objektivi juaj në këtë sezon të parë?”. Pra a do të luftojë Partizani për të qenë kampion? Një ekip me histori të madhe siç janë të kuqtë e kanë gjithmonë një detyrim për të mbërritur në këtë sukses, nuk mund të flitet për objektiv. Por sa e vështirë është për të mbërritur deri këtu? Pafundësisht! Në një skuadër me shumë luhatje nga sezoni i shkuar dhe me një merkato të bllokuar, drejtori Rama foli qartë gjatë prezantimit, duke i hequr bukur presionin trajnerit të ri: “Ne duam kthimin e Partizanit, ne duam që të kemi një identitetin tonë dhe të luajmë bukur. Ky është objektivi”. Por menjëherë pas ndeshjes së parë ku është humbur në shifrat 2-1 ndaj Kastriotit, kuptohet se jo gjithçka e thënë duhet të merret për të vërtetë. Trajneri Ilir Daja e mbizotëroi kundërshtarin, por shprehja e fytyrës ishte qartësisht e dukshme pas Kastriotit për t’u ndierë i mërzitur për faktin se nuk është marrë asnjë pikë në transfertën e mbyllur. Ndërsa Daja nuk ngurroi të vendoste theksin se Kastrioti ka bërë vetëm dy sulme gjatë gjithë ndeshjes për të realizuar dy gola, ndërsa goli i fitores i erdhi nga e vetmja gjuajtje në portë gjatë pjesës së dytë. Në një skuadër të madhe siç është ajo e Partizanit nuk mund të ketë kurrsesi kënaqësi vetëm me një lojë të bukur dhe dominuese ndaj kundërshtarit, por kërkohet me patjetër edhe rezultati. E thënë apo e fshehur, presioni i kësaj fanelle do të ndihet sërish edhe te Ilir Daja. Tifozët e kuq nuk duan vetëm që t’i kthehet Partizani, por t’i kthehet Partizani i Skënder Gegës. Pikërisht ajo skuadër që merrte rezultatin, ishte cinike dhe ndonjëherë nuk ishte shumë e bukur për të tjerët, por e zjarrtë brenda saj, për t’u kurorëzuar në fundin e kampionatit”.

Na kishte munguar një trajner si…Skënder Gega! Nuk e ka një të dytë në Superiore, sinqeriteti i një “gjeniu”

Një person i suksesshëm është padyshim ai që arrin t’i pranoi gabimet e tij, madje duke i thënë ato hapur dhe pa pasur asnjë ndrojtje, për të punuar dhe përmirësuar që të mbërrijë në pikën më të lartë. E keni vënë re në Superiore? Rrallëherë shohim një trajner që të marrë fajin mbi shpatulla, pa i drejtuar gishtin dikujt tjetër në dështim. Por kjo nuk ndodh me Gegën i cili “shkollën e jashtme”, me edukimin e marrë nga vende më të zhvilluara, e vendos në zbatim në vendin tonë. Kur Kukësi humbi në shifrat 2-0 kundër Tiranës dhe pikërisht në dy goditje nga këndi gjatë minutave të para, Gega kishte një mori justifikimesh që i ishin shtruar në tryezë për ta kaluar lehtë këtë humbje. Disa raste fatale që u shpërdoruan për të hapur ndeshjen, dy gabimet e shpejta të fillimit të takimit, nisja e mëvonshme e kampionatit, ndryshimet e shumta të ekipit dhe pafundësisht arsye të tjera që mund të dilnin për të justifikuar vetveten. “Jo, ne kemi bërë shumë gabime. Nuk mund ta fsheh që jam i mërzitur dhe përgjegjësia i takon trajnerit fillimisht, megjithëse kjo është lojë kolektive. E vërtetë që ne kishim disa mundësi ndaj Tiranës dhe që i humbëm, por ata e merituan fitoren, të tonat nuk kishin logjikë që të duartrokisje dhe të kënaqeshe”. Pra trajneri i Kukësit është një frymë ndryshe në këtë kampionat ku akuzat, kalimi i fajit për t’u kthyer në një lojë “ping-pong” dhe gjithçka tjetër për të hequr përgjegjësinë nga vetja është një rutinë e mërzitshme. Një pemë ndryshe në një pyll të dendur!

Ky është Bylisi i Dovedan! Ironia therëse ndaj Cungut i lë vend vetëm heshtjes!

Një ironi therëse u përdor nga ana e Dovedan kur u pyet rreth ankesave të Armando Cungut ndaj Bylisit. Trajneri i Laçit u shpreh se është e turpshme kur mendon se në 2020 luhet një futboll i tillë nga ballshiotët, që janë vetëm agresiv në ndërhyrje. Pra një ekip që nuk di të ndërtojë asgjë tjetër, por vetëm “të vrasë” kundërshtarin. Kjo ishte hipoteza, megjithatë nëse do të ishte e vërtetë, padyshim që Bylisi do të ishte pjesë e Kategorisë së Parë në këtë sezon. Ballshiotët kryesuan me meritë për disa javë në Superiore gjatë sezonit të shkuar, duke qenë surpriza e bukur e kampionatit. Spektakli i golave në shtëpi teksa do të humbisnin në fund ndaj Skënderbeut është një tjetër provë që Bylisi di të lë luajë edhe futboll, emocionues madje. Ndërkohë në sezonin e shkuar kishte edhe shumë ankesa nga ballshiotët për gabimet e shpeshta të arbitrave që dëmtuan ekipin, i cili do të gjendej më lartë në renditje. Ndërsa sa i përket ndeshjeve kundër Laçit, Dovedan e di më së miri se kundërshtarit duhet t’i kthehesh me të njëjtën monedhë. Ndaj një skuadër fizike duhet të luash fizikisht lartë. Por në fund të fundit këto zgjedhje i përkasin trajnerit të Bylisit, që është në shtëpinë e tij dhe rregullimet i bënë sipas dëshirës. Nëse ka pakënaqësi apo kritika mbi mënyrën sesi një ekip paraqitet në garë, atëherë kërkesat duhet të paraqiten në organet e caktuara. Dovedan paguhet për të bërë detyrën e tij, mbi zgjedhjet që ndonjëherë edhe nuk pëlqehen për kundërshtarët. Jo në të gjitha rastet mendimeve duhet t’u jepet zë… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online