“E treguam edhe me Tiranën se luajtëm futboll”, Josa i gëzohet fitores: Barazimi nuk i vlen skuadrave

Ka përfunduar me shifrat 0-1 ndeshja e fundit e javës së 17 të “Abissnet Superiore”-s. Laçi ka mposhtur minimalisht Skënderbeun në Korçë. Kurbinasit kanë gjetur shpejt rrugën e rrjetës. Ishte Agan Mjaki ai i cili shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 12. Skënderbeu u përpoq të reagonte dhe në minutën e 32-të gjyqtari vërshëllen për një 11 metërsh. Por vendimi do të zhvlerësohej pas shikimit të pamjeve në monitorin e VAR-it. Arbitri ndërron mendje dhe loja duhet të vijojë normalisht.

Bardhekuqtë arritën të dërgonin topin në rrjetë në minutën e 85, por anësori i mohon golin juglindorëve. Sipas tij, topi kishte dalë jashtë vijës fundore në momentin e krosimit në zonë, për këtë arsye duhej të mbetej në fuqi rezultati 0-1. Një rezultat që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të kryesorit të takimit. Pas përfundimit të takimit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Josa (Laçi): “Nuk është se po kalonim një situatë të keqe. Skuadra tregoi edhe në ndeshjen me Tiranën se luajti futboll. Sot dominoi vendosmëria e ekipit dhe mënyra se si skuadra e kërkoi rezultatin. Pikët duhen, sepse barazimi nuk është një gjë e vlefshme për skuadrat. Këto pikë na japin një prioritet për të vazhduar përpara edhe në këtë ndeshje që kemi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *