Shqipëria fitoi mbrëmjen e djeshme me rezultatin 4-2 ndaj Islandës, duke zhvilluar një paraqitje si rrallë herë më parë. Kuqezinjtë e kërkonin me ngulm fitoren, për të lënë pas kështu atë natë në Francë dhe për të rihapur edhe njëherë garën për vendin e dytë.
Kjo ndeshje e Kombëtares i ka surprizuar të gjithë, duke u kompletuar kështu nga shumë analistë e profesionistë të futbollit. Një koment mbi paraqitjen e djeshme e ka bërë edhe legjenda e Kombëtares shqiptare, Sokol Kushta, i cili vlerëson ekipin dhe veçanërisht trajnerin për menyrën se si e kishte përgatitur sfidën. Në fund e mbyll me një këshillë për të gjithë kritikët e Bsares.
“Urime për fitoren e bukur të Kombëtares. Fituesi nuk gjykohet, por analizohet. Është një nga herët e pakta që Kombëtarja reagon pozitivisht nga një humbje shkatërruese, si ajo me Francën, jo në drejtimin sportiv, por psikologjik dhe fizik. Këtu duket dora e një prej trajnerëve më të mirë në Europë. Arriti të vendosë balancën në psikologjinë e ekipit, rinovoi ekipin në 4 ditë. U pa në reagimin pozitiv të ekipit kur morëm golin e dytë.
Gjithmonë kemi rënë nga ana psikologjike dhe fizike, por nuk ndodhi këtë herë, madje e kundërta. Shënuam dy herë dhe u rritëm fizikisht falë ndërrimeve që bëri trajneri. Mbajtja e topit dhe taktikat e trajnerit ishin dukshëm superiore ndaj një kundërshtari të fortë. Krahas shumë lojtarëve të rinj premtues doja të uroja Baren për dy ndeshjet e shkëlqyera të tij. Përgjigje e fortë për shumë skeptikë, që nuk nguruan të hidhnin baltë mbi të. Minimumi duhet të heshtin dhe të kërkojnë falje. E them për Baren dhe duhet të jetë mësim për çdo lojtar të ri që vjen te Kombëtarja, që duhet ndihmuar dhe përkrahur” , ka thënë Sokol Kushta./Sport Ekspres/