Mbrëmjen e nesërme e gjithë vëmendja do të jetë te supersfida Barcelona-Bajern Mynih. Një ndeshje e veçantë për Hansi Flikun, i cili do të përballet me ish-skuadrën e tij. Megjithatë trajneri gjerman i ka lënë emocionet mënjanë. Ai është shprehur në konferencë për shtyp se e shkuara tashmë nuk ka rëndësi dhe tashmë do të përpiqet që ta mposhtë Bajernin e Mynihut.
“Kam kujtime të bukura nga epoka te Bajerni i Mynihut. Është një klub i veçantë. Por tani jam te Barcelona dhe jam shumë i lumtur. E shkuara nuk ka rëndësi. Rëndësi ka e sotmja. Çfarëdo që ka ndodhur në të shkuarën, nuk mund ta ndryshojmë. Mund të ndryshojmë vetëm atë që mund të ndodhë të nesërmen dhe për këtë duhet të jemi të përgatitur e të japim më të mirën tonë. Sigurisht, do të përpiqemi ta mposhtim Bajernin e Mynihut”, ka deklaruar Hansi Fliku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/