E shkarkuan pa asnjë shpjegim, “Ultras Guerrils” reagon për drejtuesit e Partizanit: Historia për ju nis kur zini zyrën, Pano dhe Partizani janë sinonime

Si mund të shkarkohet një trajner fitues? Te Partizani nuk mësojnë nga gabimet, teksa pas Gegës, këtë herë do të largohej Ledio Pano që ia doli me sukses në ekipin e moshave. Pa asnjë shpjegim të vetëm, Pano do të merrte mesazhin në telefon që i njoftonte shkarkimin. Kjo ka sjellë edhe reagimin e ashpër të tifozëve të Partizanit, Ultras Guerrils, të cilët kanë thumbuar klubin.

“Klubi Partizani ka marrë trajtat e një ekipi privat i cili dita ditës i largohet asaj që përfaqëson klubi më i madh dhe më popullor ne Shqipëri. Sa më shumë i largohet historisë dhe asaj çka përfaqëson fanella më e rëndë në vend aq më i madh bëhet hendeku që ka bërë shumë tifozë të largohen, ta refuzojnë dhe ta braktisin para një lloj arrogance të tillë.

Një arrogancë që fillon që me ndryshimin e simboleve të klubit për gusto personale, e mbaron në largimin nga klubi i simboleve që përbëjnë trashëgiminë e lavdisë së këtij klubi. Duhet guxim i madh që të shkarkosh dhe largosh nga klubi PARTIZANI një PANO.

PANO dhe PARTIZANI janë sinonime, dhe veprimet e klubit tregojnë të kundërtën e asaj që duhet të tregojë një klub i madh. Për disa në klub historia e Partizanit  fillon në ditën kur kanë zënë zyrën, e ndoshta mbaron në ditën që e lënë, ndërsa në zemrat e tifozëve ngelin shenja të cilat nuk zhbëhen ashtu siç nuk mund të zhbëhet historia e as shija e hidhur që na lënë veprime te tilla. Ledjo Pano i ka lënë shenjat e veta”, shkruhet në reagim. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *