Jemi mësuar shpesh me shkarkime trajnerësh në fundin e një ndeshje. Një objektiv i dështuar, ose thjesht një ndeshje e humbur dhe pasojat bien gjithmonë mbi trajnerët, të cilët janë gjithmonë me valixhe gati. Por, një rast i rrallë na vjen nga Anglia. Trajneri Herri Uiler është shkarkuar me anë të një mesazhi, por pa u mbyllur akoma ndeshja.
Bilerikej Taun u ngjit sivjet në kategorinë e gjashtë angleze dhe nisja e sezonit ishte fantastike. Katër fitore dhe një barazim për ekipin e Uilerit, por Bilerikej gjatë ndeshjes me Çipenhem Taun po humbiste dhe diçka e tillë ka nervozuar presidentin e ekipit, Glen Tamplin.
Ky i fundit nuk ka pritur fundin e ndeshjes, por ka vendosur të reagojë duke shkarkuar trajnerin. Një sms i dërguar dhe Herri Uiler ishte shkarkuar, siç citon “Essex News”.
Presidenti Tamplin është i njohur për bëmat e tij dhe rasti i fundit nuk i ka habitur ata që e njohin. Gjatë verës ai vendosi të zgjidhte trajnerin e tij duke ulur në stolin e ekipit… veten. Ndërroi shpejt mendim dhe mbasi shkarkoi veten nga stoli, postin ia besoi Herri Uilerit. Kaluan vetëm 48-orë dhe presidenti i “çmendur” ishte gati për t’u kthyer përsëri në stolin e ekipit.
Mosmarrëveshjet me trajnerin e ri vazhduan për dy muaj me radhë, por rezultatet e mira të ekipit e qetësuan. Për të arritur te humbja e parë dhe shkarkimi i menjëhershëm pa pritur fundin e ndeshjes.
Tani i mbetet detyra e vështirë për të gjetur një trajner të ri, sepse të paktë janë ata që do guxojnë për të punuar me Glen Tamplin. Ose duhet të jenë gati psikologjikisht për “shpërthimet” e presidentit, i cili mjafton të mërzitet pak dhe nuk pyet më.