Presidenti I FSHF-së, Armand Duka, ka qenë i pranishëm në ditën e djeshme për të dhënë një tjetër trofe dhe këtë herë i takon Vllaznisë. Këtu flitet për ekipin e femrave, që është njëkohësisht edhe krenaria e Shkodrës, pasi ekipi i meshkujve po kalon një krizë të madhe identiteti prej vitesh.
Këtë herë shkodranet kanë marrë edhe Kupën teksa kanë mposhtur Apoloninë në shifrat 4-0 falë realizimeve të Lufos, Lebës, Gjinit dhe Doçit. Por një moment shumë i veçantë dhe rast i rrallë i përket portieres Ardiola Raxhimi. Lojtaret e Vllaznisë e kanë lënë këtë të fundit që të ngrejë trofeun pasi luajti shtatzanë. Ashtu siç do të shprehej edhe për “Shkodra Sport”, Raxhimi ka thënë se Vllaznia bëri një “padrejtësi” ndaj Apolonisë pasi luajti me 12 vetë.
“Shpresoj që Apolonia të mos e reklamoj, por Vllaznia ka luajtur me 12 vetë në këtë takim. Po e zbuloj këtu faktin se jam shtatzanë dhe gëzimi është shumë i madh. Jam e lumtur për këtë gjë dhe vitin e ardhshëm do të jemi sërish për të marrë të tjerë trofe”. /Sport Ekspres/