Flamurtari ka rënë matematikisht nga Superiorja, ndërsa humbja e fundit e pësuar ndaj Skënderbeut i ka vendosur përfundimisht mbyllje llogaritjes për mbijetesën në këtë edicion. Edhe më herët vlonjatët i kanë pasur shpresat e shuara, por në këtë moment është matematika që e thotë fjalën e fundit. Dy figura të njohura të futbollit shqiptar, Vasil Ruci dhe Agustin Kola, flasin më hapur se kurrë. Në një intervistë për “Fax Web”, Ruçi ka treguar edhe një anekdotë për të përmbledhur në pak fjalë situatën e Flamurtarit.
“E përmbledhur në dy fjalë, Flamurtari ka qenë për mua manastir dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë kanë qenë shkruan historinë e tyre. Sot, ky manastir u shemb. Me pak humor dhe një anekdotë do i përmbledh të gjitha. Nxitonte njëherë milingona dhe e pyet elefantin: “Ku po shkon?”. Do vete për dhuruar gjak. Kaq! Nuk dua të bëj fajtor askënd, mjaftohem me faktin që qyteti humbi shumë. Disa thonë që ka rënë edhe njëherë tjetër, por dhemb sa herë ndodh kjo. Tani problemi është sesi do të ngrihet ekipi. Ekipi duhet të ketë donator, nuk mbahet vetëm nga një person. Kjo është ekonomia shqiptare dhe duhet të ketë 5000 donatorë. Shikoni rastin e tërmetit, unë kam besim. U mblodhën gjithë ato lekë nga telefonat, jo më për futbollin. Kështu i bie që vitin tjetër të bjeri Partizani apo Tirana, që nëse nuk kanë lekë, atëherë do të bien nga kategoria. Se kjo është formula, nëse presidenti i një ekipi nuk është mirë nga ekonomia, atëherë do të bjerë”, tha Ruçi.
Ndërkohë Agustin Kola kërkon rikthimin e ikonave në futboll. Pra figurat e ekipeve që kanë dhënë shumë për këtë sport në Shqipëri, ndërsa krahasimin me gjendjen aktuale e bën edhe me Kukësin, që e merr për një qytet me traditë në mundësa, por jo në futboll.
“Flamurtari i Vlorës ka rrahur Jugosllavinë e madhe, pra Partizanin e Beogradit. Paralelizmi që unë e kap në përgjithësi në futbollin shqiptar, në kohën tonë kemi qenë profesionistë dhe bënim dy herë në ditë stërvitje. Këta sot bëjnë vetëm dy orë stërvitje, atëherë çfarë pret? Flamurtari dhe Vllaznia kanë nxjerrë lojtarë dhe trajnerë për gjithë Shqipërinë. Unë me origjinë jam nga Dukigjini, por nuk ka lidhje Dukagjini me futbollin. Si të them Kukësi me futbollin. Kukësi ka pasur mundësa, ata i ka të shkëlqyer. Është gjynah të shohësh Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Beratin që të luajnë në një kategori më poshtë. Unë jam 61-vjeç dhe dy orë stërvitje nuk më dalin. Këta të sotmit futen në fushë sikur kanë dalë nga lavatriçja, të larë dhe të pastruar”, tha Kola. /Sport Ekspres/