Gjendja në ambietin katalanas nuk është aspak e mirë, teksa dëmtimet e Suarez e më pas të Dembele kanë lënë një boshllëk të madh në repartin sulmues. Gjithashtu nga Barcelona janë larguar edhe lojtarët Carles Perez, Abel Ruiz dhe Marques e një gjë e tillë ka bërë që mediat t’i drejtohen, drejtorit sportiv të klubit, Eric Abidal-it për ta pyetur mbi planin që ka bërë Barcelona.
“Në nivel planifikimi, si e kuptoni se me Suarezin dhe Dembelen të dëmtuar, Carles Perez, Abel Ruiz dhe Marques që janë larguar, i vetmi sulmues që vjen, Rei Manaj, shkon për ekipin B? Është një skenar vuajtës”, ishte pyetja që gazetarët i shtruan Abidalit në lidhje me situatën e vështirë në sulmin katalanas.
Por francezi është shprehur se kjo nuk ka të bëjë me vuajten, pasi një moment të tillë klubi e ka kaluar edhe më parë. Madje drejtori sportiv i Barcelonës i rrit shpresat edhe futbollistit shqiptar, duke thënë se në një mënyrë të ngjashme ka ardhur edhe dalja në skenë e Ansu Fatit me ekipin e parë.
“Nuk është një çështje e të vuajturit. Gjithnjë mund të kritikosh një vendim. Ajo që duhet të dini është se Barça asnjëherë nuk i flak lojtarët, por janë gjithnjë këta të fundit që marrin vendime për tu larguar. Sa i përket aspektit të planifikimit ne e kemi përjetuar më parë një situatë ku ka pasur dëmtime dhe aty u ngritën Carles Perez dhe Ansu Fati, dy lojtarë të talentuar. Sot është vetëm Fati por ne kemi edhe lojtarë si Collado dhe Riqui që kanë ardhur me ekipin e parë dhe të tjerët që janë një listën e UEFA-s. Setien po mbikëqyr ata, pasi mund të ndihmojnë”, ka deklaruar Eric Abidal./Sport Ekspres/