Armando Broja është kthyer në lojtarin më të preferuar edhe te Southampton pasi ka arritur të shënojë dy gola në dy ndeshje kur e ka nisur si titullar. Skuadra e Hasenhutl po vuante për një sulmues që të gjente rrjetën, teksa askush prej Armstrong dhe Adams nuk po arrinte që të shënonte. Armstrong ka shënuar vetëm në ndeshjen e parë të Premier League dhe nuk ka gjetur një tjetër gol, ndërsa realizimi i djeshëm i Adams me Chelsea-n, ishte si një lojë fëmijësh me portën e boshatisur.
Chelsea vendosi që ta huazonte Brojën për një sezon te Southampton, megjithëse Tuchel i kërkoi që të qëndronte te blutë. Megjithatë sulmuesi shqiptar nuk dëshironte që të ishte zgjedhje e tretë dhe për këtë arsye kaloi te Southampton. Gjithsesi Chelsea e priste një shpërthim të Brojës dhe këtë e tregon vetë klauzola e zbuluar nga “Goal” së fundmi.
Kështu londinezët kanë klauzolën e tërheqjes nga e cila mund ta marrin sërish Brojën në merkaton e janarit, nëse e shohin të nevojshme. Kjo do t’i shkaktonte jo pak dëm Southampton që po krijon varësi nga shqiptari dhe po vuan për gjetjen e një sulmuesi tjetër që arrin te goli. Megjithatë ajo që pritet është që Broja ta mbylli këtë sezon te Southampton, por në rast të një dëmtimi të gjatë të Lukaku ose Ëerner, askush nuk ka dyshime se Broja do të kthehet që në janar te Chelsea. /Sport Ekspres/