Armand Duka ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Tbilisi për emisionin “Opinion” në “TV Klan”. Kreu i FSHF-së ka komentuar fitoren e Kombëtares në transfertën kundër Gjeorgjisë. Duka ka treguar se e priste një rezultat të tillë që pas humbjes me gjeorgjianët në Tiranë. Ai thekson se ekipi dhe tifozët e meritonin një fitore të tillë.
“Realisht që e prisja këtë rezultat. Që pas humbjes në Tiranë e kam menduar që ne këta do t’i mundim në Gjeorgji. Kam menduar kështu, pasi skuadra jo shumë të mëdha si Gjeorgjia mbase nuk mund të kenë përqendrimin maksimal pasi kanë fituar një ndeshje jashtë shtëpisë. Megjithatë mbetej një ndeshje shumë e vështirë për ne. U gëzova shumë për skuadrën. U gëzova shumë për të gjithë, sepse nuk meritojnë që të ndëshkohen kaq shumë në 3 ndeshje rresht. Janë vërtetë një ekip i mirë. Një ekip që lufton shumë për fanellën, një ekip i bashkuar. Kishin shumë nevojë për moralin.
Ndeshjet e muajit nëntor? Shitjet e biletave kanë nisur që një muaj më parë dhe madje 70% e stadiumit është e shitur për të dyja ndeshjet. Mbështetja nuk ka munguar. Ky rezultat e meriton t’i kënaqi edhe të gjithë spektatorët. E kanë mbështetur ekipin kombëtar në shtëpi, e kanë mbështetur jashtë shtëpisë, e kanë mbështetur edhe në Gjermani. Kështu që mendoj se ky rezultat i kënaq edhe ata. Kam besim te kjo skuadër, kam besim te çunat. Kam besim edhe te mbështetja e publikut në Tiranë”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/