Nga shiu në breshër, të paktën kështu mendojnë shumë tifozë të Breshias, duke parë zhvillimet e fundit. Në krizë të thellë financiare prej vitesh, klubi italian prej sot ka një pronar të ri, Masimo Çelinon.
Ish-presidenti i Kaliarit, i akuzuar e hetuar shpesh në të shkuarën për manipulime financiare, në Itali konsiderohet një person me një imazh aspak të mirë dhe nami i tij ka dalë jashtë Italie vitet e fundit.
Pasi la Kaliarin, pak vite më parë Çelino bleu Lidsin dhe premtoi ringritjen e klubit legjendar, por u bë qesharak, duke ndërruar trajnerë e lojtarë pa kriter dhe duke fundosur Lidsin në çdo drejtim, derisa protestat masive të tifozëve dhe ndërhyrja e Federatës Angleze bëri që Çelino të largohej me bisht ndër shalë nga Anglia.
Më mirë i pari i fshatit, për Çelinon, i cili kthehet në Itali dhe blen Breshian. Tani duket i sigurt falimentimi i klubit të famshëm, që i ka dhënë futbollit një si Andrea Pirlo.