“Nuk e kam zakon të marr lojtarët nga ekipi ku isha në një ekip tjetër”, – u shpreh trajneri Ilir Daja në një intervistë. Duket se tekniku tiranas ka rënë ndesh me parimet e tij, pasi te Flamurtari i tij do të ketë “koloninë” korçare. Tefik Osmani dhe Gjergji Muzaka thuajse kanë mbyllur gjithçka në Vlorë, por tani vjen dhe lajmi befasues.
Kapiteni i Skënderbeut, Marko Radas, mund të kalojë në Vlorë. Ai është shumë afër arritjes së marrëveshjes me ekipin bregdetar tregojnë burime brenda klubit për “Sport Ekspres”. Kroati u mendua se do të qëndronte në Korçë, pasi u vlerësua dhe me shiritin e kapitenit, por gjasat janë për jo.
34-vjeçari ka kaluar 7 sezone në Korçë duke kaluar shumë me klubin korçar, por tani duket se ka ardhur momenti për t’u shkëputur. Daja ka besim te veterani, pavarësisht moshës së madhe. Eksperienca në Superiore dhe cilësitë e mira e bëjnë një futbollist të kërkuar ende në merkato.